KDI: Kuvendi përmbushi 13% të agjendës legjislative – deputetët u treguan të kujdesshëm për mëditje

SHFLETO

Kuvendi i Kosovës.

 

Altina Marmullaku
02.08.2023 11:07
Loading Icons...

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes raportit për punën e Kuvendit të Kosovës pas përfundimit të sesionit pranveror ka thënë se ky institucion ka përmbushur vetëm 13 për qind të agjendës legjislative për këtë vit.

Sipas KDI-së, “deputetët u treguan të kujdesshëm për të marrë mëditjet”.

Në një konferencë për media me titullin “Ligjvënia mes shumë sfidave”, hulumtuesi i KDI-së, Arbër Thaçi, gjatë interpretimit të të dhënave, tha se ky sesion është karakterizuar nga shumë të papritura dhe përmbajtje të llojllojshme.

“Gjatë këtij sesioni, Kuvendi zhvilloi 49 seanca në tërësi. Afërsisht gjysma e tyre ishin seanca plenare, ndërsa ngecja në trajtimin e agjendës parlamentare në vitin paraprak dhe aktual, së bashku me keq-planifikimin, shkaktoi nevojën për të zhvilluar një numër të madh të vazhdimeve të seancave”.

“Përveç këtyre, u mbajtën edhe tetë seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca të karakterit solemn”, tha ai.

Thaçi bëri të ditur se Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare.

“Nga këto, 17 projektligje ishin pjesë e planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2023, ndërsa pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara, 27 projektligje, ishin të planit legjislativ të viteve paraprake 2022 dhe 2021”.

Tutje nga KDI-ja është thënë se 14 projektligje vazhdojnë të jenë në pritje për t’u miratuar në lexim të dytë, pasi janë miratuar vetëm në shqyrtim të parë gjatë këtij sesioni.

“Kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për tu regjistruar për të marrë mëditjet, por kanë treguar papërgjegjshmëri në pjesëmarrje të rregullt në punimet e Kuvendit”.

“Kjo është në kundërshtim me Aktgjykimet Gjykatës Kushtetuese dhe interesin publik, që i obligon deputetët që të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit”, tha Thaçi.

Në mungesë të kuorumit, nënkryetarja Saranda Bogujevci, ka propozuar që seanca e së premtes më 28 korrik të mbyllet.

Seanca ishte e fundit për sesionin pranveror. Kuvendi do t’i kthehet punës në shtator