Lajme

KDI-ja kërkesë Kuvendit: Të ndëshkohen deputetët për mospjesëmarrje në seanca


Foto: Albanian Post

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe nga kryesia e Kuvendit që t’i gjobisin në mënyrë të rregullt deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca.

Këtë kërkesë KDI-ja e ka bërë përmes një analizë ku është thënë se mungesa e kuorumit në seanca po pengon përmbushjen e funksionit të këtij institucioni.

“Ky problem, tashmë kronik, po e stërngarkon agjendën e Kuvendit, pasi pikat të cilat nuk po arrijnë të miratohen në një seancë po barten në seanca tjera. Për pasojë, jo rrallëherë rendi i ditës së një seance të vetme përmban 30 deri 60 pika për shqyrtim”.

“Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca”.

Nga KDI-ja është thënë se nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje.

“Duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit. Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit”.

Tutje është sqaruar se deputetët në shumicën e rasteve nuk janë dhënë as arsyetime për mungesën e tyre në seanca.

“Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura. Kur analizohen statistikat e pjesëmarrjes së deputetëve që kur ka filluar sesioni pranveror del se në çdo seancë në listat e nënshkrimeve janë të evidentuar mesatarisht 90 deputetë. Me përjashtim të një seance gjatë muajit prill ku janë evidentuar vetëm 46 deputetë”, thuhet në analizën e KDI-së.

Tutje KDI ka shtuar se papërgjegjësia e joserioziteti është edhe më i rëndë kur merret parasysh fakti se 40 për qind e deputetëve aktualë janë të zgjedhur për herë të parë.

“Se deputetët e kanë obligim pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit e ka interpretuar përfundimisht Gjykata Kushtetuese, në rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit lidhur me zgjedhjen e Presidentit i datës 22 shkurt 2011”.

“Aty Gjykata ka theksuar se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për Deputetët, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata”, thuhet nga KDI-ja.

KDI-ja ka përmendur edhe rastin e Listës Serbe që ka bojkotuar punimet që nga viti kaluar, ndonëse kanë ardhur deputetët e rinj të kësaj partie për t’u nënshkruar në një seancë pasi i janë afruar afatit gjashtëmujor të mospjesëmarrjes që do të rezultonte me humbjen e mandatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore