Shqipëria

Katër brigjet e Durrësit në përballjen e dy kandidatëve “vendalinj”


Durrësi mund të jetë surpriza elektorale e zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Kjo, nëse i referohemi traditës së përmbysjeve zgjedhore të qytetit të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri.

Por, nëse i kthehemi aktualitetit dhe diktatit të mazhorancës prej 16 vitesh në qytetin bregdetar, do na duhet të zbarkojmë në brigjet e para të një prej garave më emocionuese administrative në vend.

Me një hapësirë prej 338 kilometrash katrorë, Durrësi është shtëpia e më shumë se 175 mijë banorëve duke cituar censusin e vitit 2011.

Përballë kryebashkiakes aktuale Emiriana Sako, do të gjendet në fletën e votimit një emër shumë i njohur për Durrësin në rangjet e demokratëve dhe jo vetëm, si Igli Cara.

Për kryeadministratoren e qytetit bregdetar kjo do të jetë gara e parë për një mandat të plotë 4-vjeçar nëse llogarisim fillimin e detyrës si kryetare e komanduar e më pas fitoren e zgjedhjeve të pjesshme në vitin 2022 kundrejt një opozite të përçarë me dy kandidatë.

E pikërisht, Cara është një kandidat “opozitar” në këto zgjedhje, i cili gëzon mbështetjen e Partisë Demokratike, asaj zyrtare dhe garon po ashtu nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Në gjysmë të rrugës drejt 14 majit, Sako e konsideron këtë datë si një garë ndaj qytetarëve, ndërsa ish-kryetari i PD-së në Durrës e mban në konsideratë kryebashkiaken socialiste si pjesë të “një trinomi Rama-Dako-Sako”.

Bregu i parë

Hegjemonia 12-vjeçare e ish-kryebashkiakut socialist, Vangjush Dako, e zhyti opozitën në një cekëtinë përfaqësimi prej kohësh.

Por, në 2019 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën ish-kryebashkiakun e Durrësit “person të padëshirueshëm” për shkak të asaj që e quajtën “korrupsion madhor”.

Që prej asaj kohe një figurë e re, me një oratori jo të shkëlqyer por fjalëpak si Sako është ngjitur në krye të qytetit bregdetar, duke mos lënë plotësisht pas krahëve një figurë hijerëndë për Durrësin si Dako, pas marrjes së kësaj detyre më 23 prill të vitit 2020.

Në historikun e kësaj bashkie, Sako është precedenti i tretë i një administrimi në mandat e sipër.

Fillimisht ishte intelektuali i ndjerë, Nevruz Çela, që do të emërohej kryebashkiak në zgjedhjet e vitit 1992, post, të cilin do ta mbante për vetëm katër muaj.

I dyti në radhë do të ishte pikërisht pasuesi i tij, Shkëlzen Jakova.

Ai do t’i dorëzonte çelësat e qytetit në shtator të vitit 1992, duke e drejtuar për pesë muaj.

Bregu i dytë

Kryebashkiakja e Durrësit ka një përgatitje profesionale si arkitekte. Sako mban mbi supe mbi 12 vite punë progresive në fushën e zhvillimit të qytetit të Durrësit.

39-vjeçarja, “vendalie” e Durrësit, ka punuar si specialiste e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Administratorja gëzon dy eksperienca në poste drejtuese: fillimisht si drejtoreshë e Shërbimeve Publike dhe, më pas, si drejtoreshë e Përgjithshme e Punëve Publike.

Para se të merrte drejtimin e qytetit bregdetar, ajo u emërua si zëvendëskryetare e Bashkisë Durrës.

Në kurrikulumin e saj cilësohet pjesëmarrja në të gjitha projektet më të mëdha të Durrësit, duke bashkëpunuar edhe me studio të njohura ndërkombëtare lidhur me to.

Sako ishte një nga hartueset e planit të përgjithshëm vendor dhe bashkëprojektuese e disa prej projekteve më të mëdha urbane në qytet.

“Ka qenë një periudhë e vështirë, pasi pandemia neve na gjeti dhe me një goditje të jashtëzakonshme tërmeti të 26 nëntorit”, rrëfen kryebashkiakja Emirjana Sako për Albanian Post.

Ajo sqaron se mandati nuk ka qenë i thjeshtë dhe se viti ishte i mbushur me sfida.

Sako thekson se ajo që i ka bërë optimistë ka qenë pikërisht “vullneti dhe dëshira” për të punuar me gjithë qytetarët e Durrësit.

Igli Cara, ish-kryetar i PD në Durrës, ka studiuar Biokimi dhe në kurrikulumin e tij pasqyrohet se ka punuar në administratë, biznes dhe ka qenë deputet.

Në vitin 2007, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës nga lista e Partisë Demokratike, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit të Strehimit. Këto funksione i ushtroi deri në vitin 2009, kur u zgjodh Kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Durrësit.

Dy vite më pas ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe sekretar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Cara u rizgjodh deputet gjatë periudhës 2013 – 2017, duke mbajtur pozicionin e anëtarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

54-vjeçari u rendit i shtati në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.

Ndërsa në vitin 2022 u rizgjodh në detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike, Dega Durrës.

Të dy kandidatët e rritur në qytetin bregdetar ndajnë dallime të qarta në programet e tyre respektive elektorale sa i takon perspektivës për të nesërmen e Durrësit.

Sako me një profil karriere më shumë administrativ, ndërsa Cara i regjur më shumë me politikën që prej fillimeve të tij në PD.

E mësuar paksa me ritmin e pushtetit lokal këto tre vite, Sako rend pas një ekuilibri qartazi të dukshëm mes projekteve të mëdha ekonomike dhe bërjes së qytetit sa më të aksesueshëm për ata të cilët e banojnë Durrësin çdo ditë të vitit.

Nga ana tjetër, mbrojtja e dashurisë ndaj qytetit që deklaron shprehimisht Cara i kundërvihet aspekteve të ekzagjeruara sipas tij komerciale për të përftuar sa më shumë të ardhura në kurriz të Durrësit dhe për të kaluar në plan të dytë bazën e fushatës së tij të deritanishme, qytetarit dhe banorit me problematika infrastrukturore bazike.

Bregu i tretë

Sako pohon se programi që është parashikuar për mandatin që vjen bazohet në 12 shtylla kryesore të zhvillimit, të cilat i grumbullon në turizëm, zhvillim urban, infrastrukturë, shërbime sociale dhe sektori i bujqësisë.

“Në program do prezantohen dy projekte madhore të cilat do t’i përkasin patjetër mandatit tjetër për realizimin e dy Unazave të mëdha në qytet – nga zona e Currilave me dalje në rrugën ‘Miqësia’ në Spitallë”.

Në Durrës kanë nisur punimet në pedonale nga Kavalishenca te Ura e Dajlanit me një shëtitore moderne dhe me pika të ndryshme rekreative.

Sako e ka të qartë se cila është filozofia me të cilën ajo do të menaxhojë Durrësin në vitet e ardhshme, duke e konsideruar qytetin përtej zhvillimit urban vëren se një pikë e fortë do të jetë bujqësia ndërsa prioritet do të kenë të rinjtë si dhe infrastruktura rrugore dhe ajo portuale.

“Me qeverinë shqiptare kanë nisur rrugëtimin e tyre projekte madhore në infrastrukturë publike, janë ato të infrastrukturës portuale së pari, pra realizimi i marinës turistike. Durrësi do të jetë qytet me dy porte. Projekt tjetër shumë i rëndësishëm që lidh turizmin me ekonominë e qytetit është hapja e plotë e Arenës së Amfiteatrit”.

Igli Cara me moton e palëvizshme “Qyteti je ti” ndërsa shëtit për fushatën elektorale ka garantuar se brenda dy viteve do të mbyllen “të gjitha plagët e shkaktuara” nga tërmeti në qytet.

Mes të tjerash ai premton furnizim pa ndërprerje me ujë dhe sistem kanalizimesh në çdo lagje, zgjidhjen përfundimtare të problemit të përmbytjeve dhe ndërtimin e një stacioni për transferimin e mbetjeve.

Cara kërkon gjithashtu të aktivizojë industrinë lokale të riciklimit, të ulë taksat dhe tarifat vendore.

Për të rinjtë, parashikon një zonë rekreative në afërsi të stadiumit, për më të vegjëlit kënde lojërash dhe parqe të gjelbëruara kudo në qytet ndërsa për të moshuarit një qendër rezidenciale me të gjitha shërbimet.

Pasi angazhohet për rritjen e buxhetit për shtresat në nevojë dhe ngritjen e tregjeve të rinj në Sukth, Rashbull, Katund i Ri, Ishëm, Manëz si dhe nxitjen e biznesit të agro-turizmit ai zbulon dy premtime paksa më inovatore: mbështetjen e turizmit komunitar përmes brendimit, përpilimin e strategjisë së Durrësit si “smart city” dhe forcimin e infrastrukturës digjitale.

Bregu i katërt

Zona më nevralgjike që ka marrë dhe vëmendjen kryesore të akuzave të ndërsjella mes palëve është pikërisht Porti i Durrësit dhe projekti “Durres Yachts and Marina”.

Autoritetet shqiptare nënshkruan në fillim të vitit kontratën me kompaninë “Eagle Hills Real Estate Development” për zhvillimin e projektit 2 miliardë dollarësh, i cili parashikon ndërtimin e një marine, hapësire banimi dhe shërbime në port me një sipërfaqe totale prej 80.9 hektarësh.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pagëzoi këtë investim gjatë nënshkrimit të marrëveshjes si “portin më të madh turistik të Mesdheut”.

Igli Cara ka deklaruar se në parim është pro këtij projekti por me disa ndryshime që sipas tij do të pengonin abuzimet që po bëhen.

“Jam pro për një projekt marine detare por ama që ta kthejmë këtë, ta kemi si sebep për të vjedhur portin e Durrësit nuk jam dakord. Jam kundër ndërtimit në portin e Durrësit”.

Sipas tij, Porti i Durrësit nuk kishte pse të jepej i tëri për ndërtim, kur mund të bëheshin shumë mirë shërbime dhe mund të ishte i vizitueshëm nga qytetarët.

“Kur flasim për 280 vende dhe pjesa tjetër është ndërtim, këtu fjala Yacht Marine është kupola që fsheh vjedhjen që po bëhet. Unë jam kundër sepse ne jemi vend për t’u bërë pjesë e BE. Stabilizim-asocimi thotë qartë se asnjë pasuri publike nuk mund të falet. Çdo pasuri, nëse do të ketë ndonjë projekt, mund të konkurrohet”.

Nga ana tjetër, Sako e rendit ndërtimin e portit mes projekteve madhore të qytetit bregdetar dhe Shqipërisë si faktor ekonomik i rëndësishëm për vendin.

“Ne kemi projekte madhore me qeverinë shqiptare, që janë Marina dhe porti i Porto Romanos, projekti i madh i stadiumit, projektet në infrastrukturën hekurudhore që tashmë ka nisur në qytetin e Durrësit, projekti i madh i amfiteatrit për rehabilitimin e plotë të arenës së tij. Sigurisht, një rëndësi të madhe ka edhe vijimi i punëve që ne kemi nisur, qoftë me programin e Rindërtimit, qoftë me infrastrukturën arsimore, por edhe sektorë të tjerë që i kemi prekur me parashikimet që i bëjmë me 4-vjeçarin që na pret”.

Në thellësinë e situatës së qytetit bregdetar të dy kandidatët shprehimisht janë ofertat më të mira për situatën se si vijnë forcat politike në një nga qytetet ku është bërë betejë për zgjedhjet lokale po aq me kërshëri sa për ato qendrore.

Dekada e fundit nuk ka prodhuar një kalim të pushtetit vendor dhe gjasat janë që Sako të jetë ende në krye të Durrësit për një mandat të plotë administrimi.

Mes brigjeve ranore të qytetit bregdetar po ngrihen themelet e Durrësit të së nesërmes.

Aty ku vetëm qielli dhe deti mbeten blu. As opozita nuk garon më si e djathtë në një ish-bastion të vjetër demokrat.

Ata, të gjitha shpresat, i kanë te pastërtia e figurës qytetare të Igli Carës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore