Lajme

Katalizatori Kiev-Kosovë: Njohja e Kosovës nga Ukraina mund të afirmojë rendin perëndimor në Ballkan dhe në mbarë Evropën


Në një artikull të gjatë për Revistën “SAIS” të John Hopkins University mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, profesori Edward P. Joseph shpjegon në mënyrë të detajuar disa argumente në lidhje me sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Temat që ai prek janë ndarja evropiane në lidhje me Kosovën dhe implikimet që pasojnë si për Ballkanin ashtu edhe Ukrainën, pasojat që paraqet mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete evropiane për vetë rendin evropian, forca si katalizator që do të kishte njohja e Kosovës nga ana e Kiev-it dhe mundësia e forcimit të marrëdhënieve serbo-ruse nëse një marrëveshje mbi Asociacionin e komunave serbe do të kryhej përpara disa garancive që mund të ofrojë plani franko-gjerman.

Dy janë elementët e bujshëm të artikullit: mbështetja e tezës së Kurtit sipas të cilës realizimi i asociacionit të komunave serbe nuk mund t’i paraprijë marrëveshjes franko-gjermane dhe se njohja e shtetit të Kosovës nga pesë shtetet evropiane, katër prej të cilave janë anëtare të NATO-s mund të arrihet lehtësisht pasi Kievi të jetë i pari që do të bëjë këtë hap.

Një opinion i rëndësishëm ky duke pasur parasysh rolin e profesorit si këshilltar në shumë nga politikat që Departamenti Amerikan i Shtetit ndjek jo vetëm në Ballkan, por edhe në rajone të tjera.

“Zyrtarët amerikanë i kanë kujtuar Kurtit – me kërcënime – se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është një detyrim paraprak sipas marrëveshjes së parë të përkohshme të BE-së që palët nënshkruan një dekadë më parë. Vuçiç, të cilit i bënë jehonë edhe zyrtarë të tjerë serbë, ka këmbëngulur se ‘dorëzimi i Asociacionit [ose Komunitetit]’ është një parakusht për bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me homologun e tij kosovar”.

Profesor Joseph bën pothuajse të tijat rezervat e Kurtit në lidhje me këtë zgjidhje:

“Së bashku me shumë (por jo të gjithë) shqiptarë të Kosovës, Kurti e sheh Asociacionin si një kërcënim për rendin e brendshëm të Kosovës, një tjetër ‘Republika Srpska’. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kanë siguruar vazhdimisht Prishtinën se Asociacioni do të ketë kompetenca të kufizuara, jo-ekzekutive, krejtësisht të ndryshme nga entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë. Duke përsëritur kërkesën e tij bazë për reciprocitet me Serbinë, kryeministri i Kosovës pyet pse nuk i kërkohet edhe Beogradit t’u japë komuniteteve pakicë asociacionin e tyre”.

Dhe pse jep një shembull të mirë, atë të Kroacisë në lidhje me formën e autonomisë, sërish profesor Joseph duket se ka mosbesim në lidhje me situatën, duke simpatizuar për objeksionet që kryeministri Kurti ka vënë në dukje.

“Objektivisht, pak shtete do të zbatonin qoftë edhe një formë të mirë autonomie për një pakicë separatiste që nuk pranon sovranitetin e shtetit në të cilin ushtrohet autonomia, veçanërisht kur kjo pakicë mbështetet nga një fqinj më i madh dhe armiqësor”.

“Modeli i suksesshëm për Ballkanin është në Kroacinë fqinje. Në vitin 1995, Zagrebi ra dakord për një formë të kufizuar autonomie për serbët e shkëputur të Kroacisë vetëm kur ata pranuan sundimin e qartë kroat. Nuk është rastësi që sot vetëm në Kroaci serbët në kufi me Serbinë marrin pjesë në jetën politike si qytetarë dhe jo si kundërshtarë me shumën zero. Prishtina nuk ka garanci të tilla nga serbët e Kosovës apo nga Serbia”.

Autori duket sikur nuk i kushton vëmendje faktit që krijimi i asociacionit të komunave nuk ka të bëjë me një vendim të ri, por me një vendim të marrë dhe nënshkruar më 2013.

Pikërisht kjo është baza e insistencës së diplomacisë SHBA-BE.

Fillimi i implementimit të asaj marrëveshjeje do jetë një rrugë e gjatë, e koklavitur, ku pikërisht dilemat dhe frikërat që Profesor Joseph dhe Albin Kurti kanë do të gjejnë zgjidhjet dhe garancitë e nevojshme.

Profesor Joseph anashkalon gjithashtu disa nga nenet e propozimit franko-gjerman nëse kjo do të nënshkruhet nga palët:

“Marrëveshja do ta vendosë Kosovën dhe Serbinë në një bazë të barabartë dypalëshe, që është një përmirësim i madh në raport me marrëdhëniet e tyre aktuale të çekuilibruara. Por Serbia dhe Kosova nuk do të jenë të barabarta ndërkombëtarisht”.

“Përveç kësaj, propozimi hesht për ndërhyrjen e Serbisë në marrëdhëniet e tjera bilaterale të Kosovës. Nuk ka asnjë tregues se Serbia do të hiqte dorë nga kjo rrugë presioni ndaj Kosovës pas marrëveshjes së përkohshme”.

Angazhimi që do t’i kërkohej Serbisë është pikërisht e kundërta e asaj që përshkruhet nga autori. Në rast të kundërt do të ndjekin penalitetet.

Por nuk është vetëm asociacioni dhe marrëveshja që shqetësojnë autorin e artikullit. Një tjetër preokupim i Kurtit përvetësohet nga ai.

“Edhe nëse Kosova nënshkruan marrëveshjen me Serbinë, shfaqet një pengesë më serioze: refuzimi i deritanishëm i mosnjohësve evropianë për t’u zotuar për të ndryshuar qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës”.

Dhe për këtë arsye fut një nga argumentet më të bujshëm, atë të cilit autori i dedikon edhe titullin e artikullit.

Njohja e shtetit të Kosovës nga Ukraina mund të zhbllokojë rrugën e Prishtinës drejt NATO-s, të çojë përpara përpjekjen intensive diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës dhe t’i shkaktojë një goditje të rëndë presidentit rus Vladimir Putin.

Si vendi evropian më i ekspozuar ndaj kërcënimeve kundër sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, Ukraina është në një pozicion unik për të katalizuar mosnjohësit që të ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Ukraina mund të jetë katalizatori për të arritur unanimitet. Duke afirmuar pavarësinë e Kosovës dhe vlerat perëndimore që çuan në të, Kievi do t’i përballojë mosnjohësit me një ultimatum: ose të qëndrojë me Zelensky-in për Kosovën, ose të qëndrojë me Putin-in”.

“Përgjigja logjike për të gjitha qeveritë evropiane, përfshirë ato që shqetësohen për rendin e tyre të brendshëm, do të jetë ndjekja e drejtimit të Ukrainës dhe përqafimi i unitetit evropian – mbi Kosovën si mbi Ukrainën – si garantuesi i vetëm i vërtetë i sigurisë”.

Katër vende NATO-BE si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja dhe një vend i vetëm në BE, Qipro, refuzojnë të njohin Kosovën, duke bllokuar rrugën e Prishtinës drejt NATO-s dhe BE-së.

Në të njëjtën kohë këto shtete duke mos e njohur po ashtu pohojnë narrativat serbe dhe ruse të viktimizimit nga ana e Perëndimit.

Si fillim, njohja e Ukrainës do të krijojë kontekstin që zyrtarët thonë se Athina duhet të njohë edhe Prishtinën.

Njohja e përbashkët greko-ukrainase e Kosovës do t’i shtyjë tre vendet e tjera jo-njohëse të NATO-s, përfshirë Spanjën, të rishqyrtojnë pozicionin e tyre, sipas autorit.

Është absolutisht e vërtetë që mungesa e njohjes së Shtetit të Kosovës është një element përçarës brenda Evropës.

Është absolutisht e vërtetë që është një armë në dorë të Putin-it i cili e përdor edhe për të justifikuar pushtimin e Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë.

“Nëse Evropa nuk mund të pajtohet për ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e veprimeve të veta në nxitjen e pavarësisë së Kosovës, atëherë ka një vrimë të hapur në rendin evropian që Putini do të vazhdojë ta shfrytëzojë.

Presidenti rus do të vazhdojë të aplikojë njëkohësisht Kosovën si një ‘precedent ligjor’ që mbështet pushtimin rus të Ukrainës dhe si një ‘akt të paligjshëm’ që dëmton rendin e bazuar në rregullat perëndimore”.

Është po ashtu e vërtetë që njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, do të zgjidhte një nga çështjet kryesore gjeopolitike të rajonit dhe kontinentit e do të detyronte Serbinë që të zgjidhte përfundimisht rrugën evropiane duke anashkaluar aleancën me Rusinë.

“Para shkurtit 2022, lënia e Kosovës në harresë përbënte një problem rajonal; pas pushtimit rus të Ukrainës, është një problem evropian dhe transatlantik. Për sa kohë që Evropa mbetet e ndarë për Kosovën dhe parimet që e çuan atë të bëhet e pavarur, nuk ka parime të dakorduara për rendin evropian”.

Por e thënë kjo të mendosh që vetëm njohja nga ana e Kiev-it mund të bindë pesë vendet e BE-së të ndërrojnë një pozicion që të tillë po e mbajnë që nga viti 2008 në mënyrë të ngurtë, duket një utopi e vërtetë.

Një presupozim i bazuar në një hegjemoni politike të Ukrainës në lidhje me Evropën.

Është jorealiste të mendohet që Kiev-i mund të njohë Kosovën përpara se të arrijë të marrë të gjitha territoret e okupuara (me gjithë vullnetin e mirë të Zelensky-it apo Rada-s), por është edhe jo realiste që nëse Kiev-i e bën këtë njohje vendet e tjera evropiane do e ndjekin këtë hap.

Asnjë nuk mund të përcaktojë votën e pesë parlamenteve autonome dhe të pavarura të shteteve në fjalë.

SHBA-të, NATO dhe BE-ja mundet vetëm të garantojnë qëllimin e tyre për të shtyrë këto pesë vende drejt njohjes.

Interesante pa dyshim në artikull është shpjegimi dhe argumentimi se si Rusia po përdor Kosovën për politikat e saj.

Përplasja e zgjatur artificialisht për Kosovën i jep fuqi Beogradit dhe Moskës të bashkëpunojnë në një agjendë të përbashkët për të zgjatur trazirat në Ballkan.

Edward Joseph kritikon politikat e Perëndimit deri tashmë në lidhje me Serbinë, një Serbi që ka mbështetur politikat ruse në gjitha momentet decizive.

“Me këmbënguljen e tyre dogmatike për të drejtën absolute të Beogradit për të vendosur nëse do të pranojë pavarësinë e Kosovës, mosnjohësit e injorojnë dhe fshehin malin e shkeljeve serbe që çuan në të. Kjo i lejon Vuçiç-it të vazhdojë narrativën e tij të viktimizimit nga duart e Perëndimit, dhe në fund të kërkojë kompensim për atë që, në realitet, është humbja e vetë-shkaktuar e Beogradit”.

Duke pasur parasysh tensionet e krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Federata Ruse perëndimi do me çdo kusht të ndajë Moskën me Beogradin sepse është Serbia me politikat e saj, kërcënimi kryesor në Ballkan.

Ajo që as Kurti as Joseph nuk po duan të kuptojnë është që tratativa mes Kosovës dhe Serbisë tashmë është si një lojë shahu.

Pas çdo lëvizjeje të secilit lojtar pason ajo e tjetrit dhe çdo lëvizje përcakton atë të kundërshtarit.

Deri tani rezistenca e Kurtit për të bërë lëvizjen e parë drejt fillimit të Asociacionit ka vënë në fakt Kosovën në të njëjtin plan me Serbinë duke krijuar nervozizëm të diplomacisë perëndimore, sidomos të SHBA-ve që janë pa dyshim autorët kryesore të pavarësisë së Kosovës.

Nëse Kurti do të kryente lëvizjen për nisjen e procesit të Asociacionit, pa dyshim hap rrugën e fillimit të lojës së shahut në tavolinë e në një farë mënyrë detyron Vuçiç-in të kryejë lëvizjen e tij të kundërpërgjigjes.

Qëllimi final i lojës është pa dyshim njohja de facto e Kosovës, duke u kthyer kështu ai në katalizator dhe jo Kievi e duke hapur kështu rrugën e reflektimit real të pesë vendeve mosnjohëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore