Pajisje

Kaspersky në Itali: Sistemet tona antivirus janë pa rrezik


Kaspersky, kompania ruse e sigurisë kibernetike, ka qenë në qendër të debatit disa ditë më parë në Itali.

Zgjidhjet antivirus të kompanisë janë ndër më të përdorurat në botë dhe janë miratuar gjithashtu nga administrata të ndryshme publike italiane, duke përfshirë ministritë dhe policinë.

Jo rastësisht, Franco Gabrielli, nënsekretar i kryeministrit për sigurinë kombëtare, ka thënë se “duhet të çlirohemi prej varësisë nga teknologjia ruse”.

Ai e ka vënë theksin te sistemet antivirus të prodhuara nga rusët dhe të përdorura nga administratat publike italiane, të cilat duhet të parandalojnë shndërrimin e tyre në një mjet sulmi.

“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë dhe transparent. Vitet e fundit kemi bashkëpunuar për një hapësirë ​​kibernetike të lirë dhe të sigurt. Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë privatësia dhe siguria e përdoruesve tanë”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm Cesare D’Angelo.

Si një nga përgjegjësit e filialit në Itali, ai ka vijuar se mirëkuptohen “plotësisht dyshimet e partnerëve institucionalë në dritën e tragjedisë së vazhdueshme”.

Po ashtu ka treguar disponimin ndaj kujtdo që dëshiron të ketë shpjegime teknike.

“Dëshiroj t’ju kujtoj se përfaqësoj kompaninë që në këtë sektor ka investuar më së shumti në iniciativat e transparencës, duke zhvendosur në Zvicër qendrat e të dhënave ku përpunohen të dhënat që klientët zgjedhin të ndajnë vullnetarisht”, ka thënë ai.

Në Itali, Kaspersky numëron rreth 2 mijë e 700 partneritete me sektorin publik dhe rreth 10 mijë klientë aktivë në botën e biznesit.

Në fund të janarit, ai siguroi edhe certifikimin Mise.

“Kemi arritur nivelet më të larta të certifikimit nga këshilltarë të jashtëm në lidhje me integritetin dhe cilësinë e proceseve tona të zhvillimit të zgjidhjeve dhe qendrave tona të të dhënave”, ka treguar D’Angelo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore