Pajisje

Kartëvizita e së nesërmes së biznesit


“Pak kohë përpara pandemisë COVID-19, isha pjesë e një ngjarjeje ndërkombëtare për teknologjinë.

Ngjarja zgjati në total tri ditë dhe në fund të këtyre tri ditëve, grumbullova më shumë se 200 kartëvizita nga kompani të ndryshme.

Meqë i flaka thuajse të gjitha kartëvizitat që kisha marrë, nisa të kërkoj në Google nëse isha i vetmi që i hidhja poshtë ato.

Pas disa kërkimeve të shkurtra, zbulova se më shumë se 90 për qind e kartëvizitave që printohen çdo vit, përfundojnë në hedhurina brenda javës.

Kurse pjesa më tronditëse është se këto numra janë në rangun e miliardave.”

Kaq pak mjaftoi që i riu shqiptar, Mario Alla, të ideonte një mënyrë alternative të kartave të biznesit, në përputhje me kohën teknologjike.

Një ide, e shndërruar në një startup që po prezantohet në skenën ndërkombëtare, e ardhur në kohën e duhur.

Kur vendet në mbarë botën janë angazhuar në mbrojtje të mjedisit, i riu shkrin në një përgjegjësinë sociale të bizneseve me vrullin e ndryshimeve teknologjike.

Kështu, ka ardhur Ogier Card, karta digjitale e biznesit, që zëvendëson atë fizike.

“Prej thjeshtësisë së saj, të përdorësh një Ogier Card, është po aq e thjeshtë sa t’i japësh kartëvizitën fizike dikujt. Gjithashtu, zotëruesi i kartës ka mundësinë për të ndryshuar të dhënat sa herë ta shohë këtë të arsyeshme”, tregon Alla për Albanian Post.

Çka nuk është e mundur me një kartëvizitë fizike.

“Në ditët e sotme, bizneset printojnë me mijëra kartëvizita. I shpërndajnë dhe presin me padurim të marrin një telefonatë. Ata, pak dinë se 90 për qind e tyre shkon në kosh”, dallon zhvilluesi i kartës.

Nga ana tjetër, me Ogier, ata kanë mundësinë të shohin se sa persona kanë regjistruar numrin e tyre të kontaktit ose u kanë bërë follow faqeve që kanë në mediat sociale.

Për të, ky është momenti kur bizneset duhet të lëvizin drejt zgjidhjes digjitale.

“Veçanërisht tani, nëse nuk bëjmë diçka për të pakësuar ndotjen e mjedisit, të cilën e kemi shkaktuar për gjenerata të tëra, pa dashur të bëhem pesimist, nuk do të mund të lëmë shumë gjenerata të tjera pas”, ka veçuar ai.

Njëfarë revolucionarizimi ky i mënyrës sesi njerëzit e biznesit ndajnë dhe shkëmbejnë detajet e tyre.

Por, edhe pse forma është e ndryshme, përmbajtja mbetet e njëjtë. Një “copë letër” digjitale që të afron me biznesin dhe të lidh më shumë me të.

Kurse avantazhet janë relativisht të mëdha, krahasuar me rivalin, atë fizik.

Alla tregon se me anë të kartës Ogier, përdoruesi ka mundësinë të ndryshojë të dhënat, pa dashur të harxhojë sërish shuma parash për të ri-printuar kartat.

“Madje, çka iu intereson bizneseve është analiza e të dhënave që disponon karta digjitale. Kështu, bizneset e kanë të qartë se cilët persona e disponojnë kartëvizitën e tyre”, vijon ai.

Gjithashtu ata mund ta përdorin këtë opsion edhe për të zhvilluar kërkime të brendshme përmes të cilave të zbulojnë nëse punonjësit e tyre po përpiqen për të gjetur klientë të rinj.

Megjithatë, ka edhe kufizime kur e vendosim në realitetin shqiptar.

Karta Ogier funksionon vetëm me telefonat e rinj inteligjentë, duke filluar nga iPhone 7 e lart, apo nga Samsung Galaxy 8 deri te versionet e tij më të reja.

Prandaj dhe Shqipëria nuk është terreni që mund të mirëpresë atë.

“Besoj se Shqipëria ende nuk është gati për këtë produkt. Ende nuk është vendi i duhur për ta prezantuar, prandaj po e lancojmë në Mbretërinë e Bashkuar”, zbulon i riu.

Për sa u përket përdoruesve, Alla thotë se numërohen më shumë se 100 përdorues që po e testojnë kartën. Ndërkaq, mbi 1 mijë përdorues online.

“Nga një pyetësor që u dërguam përdoruesve të kartës, ka rezultuar se 93 për qind e tyre e kanë përdorur kartën Ogier të paktën një herë kur kanë takuar grupime me njerëz, të cilët nuk i kanë njohur më parë”, tregon ai.

Dhe, për të, ky është një tregues i mirë, i cili “na bën të kuptojmë se ajo që po ofrojmë, po përdoret dhe njerëzit e pëlqejnë”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore