Stil

“Karizma është dhunti e rrezikshme”


Ilustrim

Karizma është lehtë të dallohet, por të përcaktohet, jo.

Artikuj nëpër gazeta dhe revista vazhdimisht identifikojnë liderë karizmatik si John F Kennedy, Martin Luther King, Barack Obama – por shumica prej tyre nuk i’a dalin të përshkruajnë saktësisht se çka është karizma.

Shpesh dëgjojmë të debatohet se a është karizma e nevojshme për një lider “transformues”, derisa rafte të tëra, të mbushura me libra vetë-ndihmues me optizmin e tyre, pretendojnë të dinë t’ua mësojnë njerëzve “sekretet” e karizmës.

Disa të tjerë besojnë që karizma nuk mund të shpaloset apo zbulohet, pasi ajo është e bashkëlindur dhe prezente brenda individëve të rrallë.

Pra, le ta shtrojmë këtë pyetje përsëri, çka është karizma?

Origjinat e saj i gjejmë te letrat e Shën Palit, të shkruara në fillet e krshterimit. Këtu për herë të parë e gjejmë të shkruar fjalën “karizëm”, që origjinën e gjen në fjalëm greke “charis”.

Për Palin karizma nënkuptonte dhuratën e mirësisë së Perëndisë, ose njëfarë dhuntie shpirtërore.

Në letrat e tij drejtuar komuniteteve të reja krishtere të shpërndara gjithandej Perandorisë Romake, ai u shkruante për “charismata”-n ose një dhuratë shpirtërore që ishte në të gjithë pjesëtarët e komunitetit.

Ai e identifikonte charismata-n të përfshirë me profecinë, shërimin, të folurit me gjuhë dhe interpretimin e asaj të folure, mësimdhënien dhe shërbimin, të gjitha këto dhurata mbinatyrore dhe pragmatike.

Për Shën Palin karizma ishte një nocion mistik. Kjo dhuratë mbinatyrore ai besonte se ndriçohet te individët vetvetiu, pa nevojën e autoriteteve apo institucioneve kishtare.

Te ai nuk kishte karizëm lidershipi: ndërthurrja e charismata-s do të kishte të bënte me shërbimin ndaj komunitetin pa pasur nevojë të imponohen udhëheqës.

Sidoqoftë, nga shekulli i IV-të, Kisha e kishte larguar idenë se karizma vjen vetëm nga frymëzimi prej Shpirtit të Shenjtë. Tanimë ishte instaluar hierarkia në Kishë, me peshkopë në krye, të cilët i interpretonin ligjet e vendosura dhe të përshkruara nga Bibla e re e sapoautorizuar.

Charismata mbijetoi vetëm nëpër qarqe heretike, te profetë të cilët pohonin të kenë qenë drejtëpërsëdrejti të frymëzuar dhe pa ndërmjetësimin e peshkopëve apo teskteve të shenjta. Herezi të tilla ishin shtypur me forcë të madhe nga Kisha.

Ideja e karizmës pastaj qëndroi e fjetur deri në shekullin XX-të, kur sociologu gjerman Max Weber, e mori atë nocion dhe e ringjalli.

Në fakt ne ja kemi borxh kuptimin bashkëkohor nocionit të ‘karizmës’ pikërisht Weberit, i cili e mori idenë e karizmës nga Shën Pali dhe e sekularizoi atë, duke e vendosur karizmën brenda sociologjisë së autoritetit dhe lidershipit.

Për Weberin ekzistonin tre lloje të autoritetit: ajo legale-racionale, tradicionale dhe karizmatike.

Weberi e shihte formën e autoritetit karizmatik si antidota revolucionare e ‘kafazit të hekurt’ të racionalizimit të botës sonë bashkëkohore të “çmagjepsur”.

Ai pohonte se ka diçka heroike te udhëheqësi karizmatik, i cili nxit ndjekësit e tij me të bëma të mëdha, apo me retorikën karizmatike me të cilën ai frymëzon.

Weberi e definon karizmën si “…një cilësi e veçantë e një personaliteti të një individi me të cilin ai shihet si i jashtëzakonshëm dhe trajtohet si të ishte i veshur me aftësi mbinatyrore apo mbinjerëzore.”

Ai gjurmoi liderët karizmatik në historinë njerëzore, në gjeneralët e mëdhenj ushtarak e profetë të ndryshëm. Ai besonte se udhëheqësit karizmatik do të vazhdonin të shfaqen edhe në burokracitë e zhvilluara të botës moderne.

Weberi vdiq në 1920 dhe nuk arriti të jetë dëshmitar i aplikimeve të idesë së tij në politikën dhe kulturën bashkëkohore.

Ndoshta kjo edhe është mirë pasi që liderët e parë të cilët u përshkruan si karizmatikë ishin Mussolini dhe Hitleri. Për shumicën e intelektualëve evropianë kjo dha kuptimin se autoriteti karizmatik kishte një dimension të ligësisë.

Gjithashtu kjo anë e errët e lidershipit karizmatik qëndroi edhe më gjatë: liderët e kulteve te 1960-ave si Charles Manson i magjepsnin në masë të madhe ndjekësit e tyre, dhe lehtësisht quheshin karizmatikë. Dhe nga kjo pikë vepra e Weberit ishte përkthyer, dhe fjala “karizëm” u bë e famshme në botën anglishtfolëse që nga 1950-at.

Politikani i parë i cili u quajt karizmatik nga mediat, në kuptimin pozitiv përkundër atij demagogjik, ishte John F Kennedy dhe vëllai i tij, Robert F Kennedy.

Pas viteve të 60-a, karizma si fjalë u fut në mainstream, dhe përveç politikanëve, ajo u aplikohej edhe individëve të tjerë të jashtëzakonshëm, për shëmbull Mohammad Ali-së, si më karizmatiku prej të gjithëve.

Sot “karizmatik” e përdorim për të përshkruar politikanë, yjet e showbizzit, liderët e bizneseve të mëdha, etj.

Me karizëm nënkuptojmë cilësi të veçanta të lindura të një individi që e bëjnë atë të dalluar, dhe të ndjekur nga njerëzit. Konsiderojmë se është një cilësi e rrallë, me të cilën dikush është i pajisur për nga natyra: në politikën e ShBA-së, Bill Clinton pohohej se posedonte prezencë karizmatike, sikurse ndoshta edhe Obama.

Kurse në kulturën e showbizzit karizma konsiderohet shenjë e autenticitetit të rrallë pasi industria e argëtimit prodhon vetëm prodhime plastike të famës si në ‘Idols’ ose ‘The Voice’. Karizma nuk mund të krijohet nga Reality TV.

A është e dëshirueshme karizma në politikën bashkëkohore?

Biografisti politik, David Barnett, e ka quajtur karizmën si: “Një nga konceptet më të rrezikshme që mund të gjejmë në demokraci”.

Liderët karizmatikë frymëzojnë ndjekësit e tyre me retorika fluturuese.

Partitë politike mjaftohen ose janë të kënaqura me liderë të thjeshtë, popullorë dhe jokërcënues të cilët mund të tërheqin njerëz të zakonshëm.

Në Australi, Paul Keating, ishte një kryeministër karizmatik, por edhe skizmatik, i cili e tjetërsoi “heartland”-in tradicional të Partisë së Punës me arrogancën e tij të madhe.

Pasuesi i tij, John Howard, në përgjithësi konsiderohej si jo-karizmatik, dhe rëndomësia e tij doli të jetë aseti më i madh i tij, sepse bëri një qeverisje qetësuese përkundër stilit kërcënues të Keating.

Kurse në Itali, Silvio Berlusconi ishte një lider populist, dhe mandati i tij si kryeministër ishte shumë i dëmshëm për demokracinē. Lideri karizmatik mund të jetë drithërues, madje edhe tejet joshës, por suksesi i një lideri të tillë vështirë se është i shëndetshëm për një parti politike, apo për demokracinë.

Karizma si ide zgjatet në një periudhë dymijë vjeçare. A ekziston ndonjë lidhje në mes të karizmës bashkëkohore – e konsideruar si një formë e veçantë e autoritetit – dhe karizmës fetare të kohës së Palit?

Ajo qëndron në nocionin e brendshmërisë së “dhuntisë natyrore”. Pali thoshte se asnjë peshkop ose Kisha nuk kishte nevojë për bekimin e karizmës, por ajo thjesht ndriçohej tek individi, si dhuratë shpirtërore.

Karizma sot është enigmatike, faktor X, e panjohur, disi e pareduktueshme. Askush nuk e di se pse disa individë të rrallë janë të veshur me karizëm, dhe mbetet, si gjithmonë, njē dhunti misterioze.

John Potts është profesor në departamentin e Medias, Komunikimit, Arteve kreative, Gjuhës dhe Letërsisë në Macquire University, Australi. Titulli i esesë në origjinal: “Charisma is a mysterious and dangerous gift”. 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore