Sport

Kapiteni i Vllaznisë, Gurishta për AP: Na mungon cinizmi/Interpretimi i VAR lë për të dëshiruar


Teksa Abissnet Superiore ka luajtur gjysmën e sezonit dhe Kupa e Shqipërisë ka arritur në raundin gjysmëfinal, Vllaznia po lufton për trofe në të dy drejtimet.

Kapiteni i kuqebluve, Erdenis Gurishta në një intervistë për Albanian Post, ka folur për pritshmëritë e shkodranëve këtë sezon, objektivat, dallimet me sezonin e kaluar, problemet me arbitrat dhe të ardhmen e tij.

Pritshmëritë e skuadrës

26-vjeçari tregohet i sinqertë teksa thotë se “deri në këto momente të gjithë jemi të pakënaqur me pikët që kemi grumbulluar, sepse skuadra prodhon lojë dhe raste pafund, por na mungojnë shumë pikë”.

Por, nga ana tjetër ai shton se në garë “janë akoma shumë pikë dhe gjithçka është e hapur”.

Vllaznia renditet në vendin e katërt në Superiore me 30 pikë. 13 pikë më pak se Tirana kryesuese. Ndërkohë, deri në përfundimin e kampionatit janë në lojë edhe 51 pikë.

Objektivat

Për Gurishtën objektivi kryesor i Vllaznisë është “të arrihet evropa në kampionat dhe në Kupë padiskutim që kemi mundësi të përsërisim sezonin e kaluar”.

Nga Superiorja vetëm tre vendet e para shkojnë në Kupat e Evropës. Ndërsa një skuadër kualifikohet në rast se fiton Kupën. Pra janë dy mundësi që Vllaznia ka për të kapur Evropën.

Përsa i përketë Kupës, Vllaznia vjen si kampionia në fuqi. Shkodranët mundën minimalisht 1-0 Skënderbeun në finalen e vitit të kaluar.

Deri më tani ata kanë arritur të kualifikohen në gjysmëfinale. Raund në të cilin u kualifikuan në mesjavë, pasi eleminuan Flamurtarin (1-0, 2-1).

Në gjysmëfinale, së bashku me Vllazninë janë edhe Teuta, Partizani dhe Laçi. Të tre këto skuadra cilësohen nga Gurishta si “të forta dhe e kanë merituar kualifikimin deri këtu”, ndërsa shton se për kundërshtar të mundshëm “të them të vërtetën nuk kemi asnjë preferencë. Po presim shortin”.

Dallimet me sezonin e kaluar

Sezonin 2020/21, Vllaznia e mbylli në vendin e dytë me 66 pikë, po aq sa Teuta që doli kampione. Në 36 javë të luajtura shkodranët arritën 19 fitore, më shumë se çdo skuadër tjetër. Gjithashtu numëronin nëntë barazime dhe tetë humbje. Shënuan 44 gola dhe pësuar 22.

Këtë sezon, kur janë luajtur 19 javë, ata kanë arritur shtatë fitore, nëntë barazime dhe tre humbje. Kanë shënuar 28 herë dhe kanë pësuar 18.

Performanca e Vllaznisë këtë sezon, dukshëm ka qenë jo aq e mirë sa ajo e sezonit të kaluar. Gurishta e shpjegon këtë fakt duke thënë se “deri në këto momente na ka munguar cinizmi”.

“Vitin e kaluar kemi qenë shumë cinik dhe kemi marrë shumë fitore në momentet e duhura”, vijoi ai.

Jo pak herë për keq te Vllaznia kanë ndikuar edhe gjyqtarët dhe interpretimet e tyre në sistemin VAR.

“Të jemi realist, përdorimi i VAR-it në Shqipëri është diçka pozitive, sepse shumë gabime janë eleminuar. Por interpretimi i VAR-it në shumë raste lë për të dëshiruar”, thekson Gurishta.

“Nuk është vetëm ndeshja kundër Laçit, por edhe shumë episode të tjera”.

“Nuk dua të mendoj se gabimet janë dashakeqëse, por kur janë të përsëritura atëherë vetvetiu të shkon mendja që këtu ka një problem”, vijoi kapiteni.

E ardhmja

26-vjeçari është produkt i akademisë së klubit dhe ka provuar vetëm një vit të aktivizohet larg tyre. Në sezonin 2014/15 ai u aktivizua me Veleçikun, para se të rikthehej si protagonist me ekipin e parë të Vllaznisë.

Përsa i përketë të ardhmes, Gurishta thote së “jam nën kontratë dhe shumë i lumtur te ekipi i Vllaznisë”. Por, nga ana tjetër ai shton se “uroj që të arrijmë objektivat e klubit dhe pastaj objektivat personal”.

Dhe kur bëhet fjalë për objektivin personal, kapiteni thekson se është “largimi drejt një kampionati të huaj”, që sigurisht është më i fortë se Superiorja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore