Lajme

Kapiteni i FSK-së nga Turqia flet për Albanian Post: Shpresat për të gjetur presona të gjallë po zvoglohen çdo ditë, tani veç ndonjë mrekulli


Kapiten Egzon Syla, Komandant i kontigjentit të Kerkim Shpëtimit të FSK-së në Turqi

Kapiten Egzon Syla, i cili po komandon kontingjentin e Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi, ka thënë për Albanian Post se aktualisht shpresat se mund të gjejnë persona të gjallë nën rrënoja të ndërtesave, janë fare të vogla.

“Shpresat janë shumë të vogla, kanë kaluar shumë ditë, shumë kohë, është problem me marrë ndonjë sinjal, ndonjë zë nga rrënojat”, ka thënë Syla në një intervistë për Albanian Post.

“Por sigurisht ende ka shumë punë, ende po vazhdojmë. Ka shpresa. Në vende të ndryshme kemi marrë lajme që janë gjetur persona të gjallë. Ka shpresa por shumë të vogla, vetëm ndonjë mrekulli”.

“Ndoshta ndonjë person që ka mbetur në ndonjë hapësirë ku ka mundur të lëvizë, të ha e të pi diçka, ka mundur të mbijetoj, përndryshe shpresat janë duke u zvogëluar”, ka treguar ai.

Për dallim nga pjesa tjetër e ekipit, kjo eksperiencë në Turqi për Egzonin ishte e para.

Ai tregon se e ka përjetuar shumë rëndë emocionalisht.

“Në fillim kur kam ardhur, kam parë gjithë ato rrënoja, duke parë qytetarë duke qarë, duke kërkuar ndihmë. Duke parë qytetarë rrugës që kanë mbetur pa strehë, e kam vërejtur tek vetja që jam duke e përjetuar rëndë emocionalisht”, tregon komandant Syla.

“Pastaj kam filluar të mos mendoj më për ato gjëra, duke biseduar me pjesëtaret e kontingjentit se si do ta bëjmë punën tonë më së miri e duke menduar veç për punën tonë, duke e larguar veten nga mendimet se çka po përjetojnë ata brenda, është shumë e vështirë”.

Këto ndjenja, tregon Egzon Syla, zbehen kur arrijnë të nxjerrin persona nën gërmadha dhe t’ua shpëtojnë jetën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore