Kaosi opozitar në Kuvend, SHBA-të: Veprime të tilla nuk kanë vend në procesin demokratik

Kaosi i shkaktuar nga deputetët demokratë ka tërhequr reagimin e komunitetit ndërkombëtar
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
01.10.2024 12:33
Loading Icons...

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka deklaruar se është thellësisht e shqetësuar nga shkatërrimi dhe forca e ekspozuar në parlamentin e Shqipërisë të hënën.

Sipas saj, veprime të tilla të dëmshme nuk kanë vend në procesin demokratik.

“Ne inkurajojmë të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të mbështesin vlerat e respektit dhe civilizimit”.

Më tej ambasada në reagimin e saj shprehet se mbështet diskutimin paqësor dhe bashkëpunues mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu ajo është me bindje u shpreh se do të qëndrojë pranë institucioneve të Shqipërisë ndërsa ato punojnë për ta afruar Shqipërinë me komunitetin euroatlantik.

Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE), Silvio Gonzato.

Gonzato shprehej se, është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend.

“Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin”.

Sipas tij, në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin – deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Gonzato bëri thirrje për t’u kthyer në dialog dhe të ndalohet “përshkallëzimi i situatës dhe të shmangen sulmet personale dhe verbale” .

 Çfarë ndodhi?

Ditën e djeshme opozita shqiptare nisi sërish kaosin në Kuvend.

Kësaj here, për shkak të dënimit të deputetit demokrat Ervin Salianji për “kallëzim të rremë”.

Gjithashtu, deputetët e PD-së në nisjen e seancës u përplasën me gardën e republikës pranë foltores teksa hodhën sende dhe shishe në drejtim të ministrave dhe kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali.

Më tej ata morën karriget e kuvendit ku ata ulen dhe i nxorën jashtë në oborrin përpara derës hyrëse të parlamentit.

Kryetari i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se “ne po djegim karriget tona, se nuk jemi këtu për karriget tona”.

“Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Salianji denoncoi lidhjet e Fatmir Xhafajt me krimin. Karriget tona janë të qytetarëve. Edi Rama ka djegur parlamentin. Ne jemi këtu për të thënë se jemi për interes publik. Jo, ne nuk kemi djegur mandatet. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment”, tha ai.