Shqipëria

Kaosi në Kuvendin e Shqipërisë – deri kur?


Disa kishin bllokuar foltoren e Kuvendit.

Disa shihnin martesën e Luizit dhe Kiarës.

Disa luanin shah, e të tjerë miratonin ligje edhe për kolegët që mungonin.

Pa kuptuar, mes kaosit u votua me 72 vota pro ligji për “Informacionin e Klasifikuar”, të propozuar nga Qeveria shqiptare.

Ky ligj heq edhe pengesën e fundit të mbetur për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit dhe ishte miratuar në Komisionet Parlamentare edhe nga vetë deputetë të opozitës.

Megjithatë kryefjalë e seancës parlamentare u bë “zhurma” dhe ligjvënësit e opozitës nuk ishin aspak të interesuar.

Por, opozita vijoi bllokoi foltoren, siç shpesh është mësuar ta bëjë në seancat e fundit.

Kësaj here, nuk ishte kryedemokrati Sali Berisha që përmes live videove në Facebook jep deklaratat edhe pse me mikrofon fikur.

Demokratët opozitarë morën rolet e tyre. Teksa njëri fliste, të tjerët rrotull tij tërhiqnin vëmendjen me bilbila, rënie tavoline dhe tone të larta.

Përpos dinamikës, kërkesa ishte e njëjtë me atë të një jave më parë.

Ashtu si në të kaluarën, ligjvënësit kërkonin interpelancë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjen “McGonigal”.

Interpelanca u pranua që nga mbledhja e Konferencës së Kryetrarëve, e cila vendosi në kalendarin e punimeve të Kuvendit kërkesën urgjente nga grupi i Enkelejd Alibeajt.

Por, përfaqësimi i kryeministrit nga ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali – si jo rrallë herë – nuk i ka pëlqyer opozitës.

Ata vijuan të lidheshin me ndjekësit e tyre virtualë nga platformat online dhe premtuar se nuk do të kishte mbajtje seance derisa të plotësohej kërkesa.

Që në nisje të sesionit të ri parlamentar në janar të këtij viti asnjë seancë nuk është mbajtur në normalitet.

Ka pasur pezullime dhe përjashtime të ligjvënësve, por rendi nuk është rikthyer. Kur nuk ishte çështje e ish-zyrtarit të FBI-së ishte “mungesa e minutazhit” për Sali Berishën.

Kjo lë të kuptohet se gjullurdia do të mbizotërojë gjatë në jetën parlamentare shqiptare. I vetmi i humbur do të jenë sërish qytetarët, të cilë nuk do të mund të prezantohen denjësisht nga të zgjedhurit e tyre.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, në një prononcim për Albanian Post ka theksuar se Kuvendi do duhet të sigurojë vijimësi normale dhe kjo do të mund të ndodhë vetëm falë respektimit rigoroz të Rregullores.

Për të, kuadri i masave që shërbejnë për të disiplinuar sjelljen e deputeteve në çdo rast, është i plote, është i përshkallëzuar në varësi të shkeljes dhe i tillë është zbatuar dhe do zbatohet pa asnjë dallim.

Vetë kryeministri i Shqipërisë u shpreh se do të refuzojë e refuzojë të zhvillojë një interpelancë të tillë përsa kohë nuk ka asnjë implikim, akuzë apo çështje në emrin e tij.

Kështu që sipas gjasave mbetet që qytetarët shqiptarë të mos shohin asnjë debat për dy nismat që janë artikuluar në publik nga qeveria e që kanë marrë reagime të shumta nga ndërkombëtarët: amnistia fiskale dhe pasaportat e arta.

Opozita ka halle të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore