Kaosi në Kuvend, reagon ambasadori i BE-së: Për të ardhur keq, të ulen tensionet dhe të ketë dialog

“Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin”
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
01.10.2024 10:52
Loading Icons...

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Silvio Gonzato, këtë të martë të 1 tetorit ka reaguar në lidhje me kaosin e krijuar nga deputetët e opozitës në seancën e fundit parlamentare.

Gonzato shprehet se, është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend.

“Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin”.

Sipas tij, në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin – deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Gonzato bëri thirrje për t’u kthyer në dialog dhe të ndalohet “përshkallëzimi i situatës dhe të shmangen sulmet personale dhe verbale” .

Më herët ishte ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ai që reagoi për ngjarjen duke theksuar se do të referohet në SPAK.

Ai i cilësoi veprimet e tyre – për djegien e karrigeve – si një akt vandal që “përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi”.

Hoxha u shpreh se deputetët opozitare kishin penguar ushtrimi e funksioneve kushtetuese, kishin hequr me dhunë të drejtën e fjalës, kishin goditur për shkak të detyrës, kishin rrezikuar jetën e deputetëve duke goditur me mjete te forta dhe kishin shkatërruar me zjarr pronën publike.

“Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit”, shkruan ministri.

 Çfarë ndodhi?

Ditën e djeshme opozita shqiptare nisi sërish kaosin në Kuvend.

Kësaj here, për shkak të dënimit të deputetit demokrat Ervin Salianji për “kallëzim të rremë”.

Gjithashtu, deputetët e PD-së në nisjen e seancës u përplasën me gardën e republikës pranë foltores teksa hodhën sende dhe shishe në drejtim të ministrave dhe kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali.

Më tej ata morën karriget e kuvendit ku ata ulen dhe i nxorën jashtë në oborrin përpara derës hyrëse të parlamentit.

Kryetari i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se “ne po djegim karriget tona, se nuk jemi këtu për karriget tona”.

“Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Salianji denoncoi lidhjet e Fatmir Xhafajt me krimin. Karriget tona janë të qytetarëve. Edi Rama ka djegur parlamentin. Ne jemi këtu për të thënë se jemi për interes publik. Jo, ne nuk kemi djegur mandatet. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment”, tha ai.