Sport

Kaos në Serie A, koronavirusi anulon gjysmat e ndeshjeve të para të këtij viti


Serie A italiane kishte parashikuar që java e 20 të zhvillohej e gjitha më 6 janar. Këtë të enjte, kur 20 skuadrat duhet të zbrisnin në fushë, katër sfida janë anuluar.

Autoritetet shëndetësore të qyteteve përkatëse nuk kanë lejuar udhëtimet e skuadrave të tyre. Për pasojë sfidat: Bologna – Inter, Atalanta – Torino, Salernitana – Venezia dhe Fiorentina – Udinese janë shtyrë.

Në sfidat e mbetura do të ketë dy super përballje që në fillim të këtij viti. Duke filluar nga ora 18:30 në mitikun “San Siro”, skuadra e Milan-it do të presë Roma-n e Jose Mourinho-s.

Sfida tjetër më e rëndësishme luhet në “Allianz Stadium”, duke filluar nga ora 20:45. Juventus-i pret Napoli-n. Të dy skuadrat kanë raste me koronavirus të lojtarëve, por megjithatë është vendosur të luhet.

Interesante është dhe sfida e orës 14:30, mes Lazio-s dhe Empoli-t. Sfida e cila mund të quhet si ndeshja e shqiptarëve.

Për Lazio-n pritet të jenë në fushë nga minuta e parë Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj. Vedat Muriqi pritet ta fillojë nga stoli.

Në krahun tjetër, për Empoli-n, Nedim Bajrami pritet të jetë pjesë e formacionit të parë. Në stol do të jenë Ardian Ismajli, Kristjan Asllani dhe Samir Ujkani.

Tre sfidat e tjera do të jenë: Sampdoria – Cagliari, Spezia – Hellas Verona dhe Sassuolo – Genoa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore