Kandidati i LSI filmohet duke blerë vota, Rama: U kap me presh në duar

SHFLETO
Orges Permargjeta
23.04.2021 17:48
Loading Icons...

Gjatë një emisioni investigativ, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Etion Joka, u filmua duke blerë vota.

Joka është i 22-ti në listën e LSI-s. Në video shfaqet duke i dhënë një personi, i cili duket se është i angazhuar për të mbledhë vota për LSI-në.

Albanian Post ka kontaktuar me zyrën e policisë së Tiranës dhe është informuar se shtetasi Elton Joka nuk është arrestuar as shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Videon e dalë nga emisioni investigativ e ka komentuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Durrësi. Ai tha se “një deputet i Ilirit dhe Monikës” u kap me presh në duar.

Gjithashtu Rama tha se i kishte thënë “Likes” t’ia presë duart, por ky i fundit kishte bërë vetëm një postim.

“Unë thashë tashi dil Like rrëmbe sëpatën, shko priti duart. Mirëpo Likja nuk doli, por lëshoi një postim”.

Gjatë një prononcimi për mediat, Joka ka thënë që videoja është e inskenuar dhe e sajuar. Ai shprehu se çështjen do ta ndjek edhe në rrugë ligjore.

“Banda e Inceneratorëve sajon, monton, tenton, por e kanë të kotë. Fundi i montazheve ka qenë i turpshëm ashtu siç do jetë dhe fundi i Rilindjes në 25 Prill. Çështjen e këtij montazhi do ta ndjek edhe në rrugë ligjore pas 25 Prillit. Deri në 25 prill përpara të bëjmë çdo gjë për fitoren e madhe”.

Në një prononcim për mediat doli edhe nënkryetarja e LSI-së, Brisida Shehaj, e cila shprehu se gjithçka ishte e montuar dhe nuk është e vërtetë që  Joka ka blerë vota.

Me Shehajn ishte edhe një person i quajtur Edison Babo. Emri i këtij të fundit u përmend në videon e denoncuar.

Babo tha se personi që kishte filmuar videon ishte kushëriri i tij. Ky i fundit, sipas Babos është person me gjendje ekonomike të dobët dhe i “ka kërkuar lekët për të ngrënë bukë”, prandaj Joka i dha 100 dollarë në shenjë bamirësie “dhe jo për të blerë vota”.

Më pas Brisida Shehaj deklaroi se “do vazhdojmë t’i bëjmë thirrje drejtësisë ta zbardhë këtë ngjarje”.