Lajme

Kandiç për “deklaratën e Klitschos”: Është në përputhje me faktet


Natasha Kandic

Ambasada e Ukrainës në Serbi nuk ka mundur të mohojë as pohojë deklarimin e Vitali Klitschkos, ish-boksierit dhe kryetarit aktual të Kievit, i cili u raportua të ketë thënë që ukrainasit po e luftojnë Rusinë, njëjtë siç e luftonin shqiptarët Serbinë, megjithatë, Natasha Kandiç nga KOMRA dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka shkruar në Twitter se ajo çfarë besohet të ketë thënë Klitschko është e bazuar në fakte.

“Deklarata e Klitschkos është në përputhje me faktet”, ka shkruar Kandiç, kur ka shpërndarë artikullin e medias serbe Danas rreth kësaj çështje.

Në anën tjetër, ambasada ukrainase i ka thënë Danas-it se “duhet të theksojmë se Vladimir Klitschko, si çdo qytetar i Ukrainës, ka të drejtën e garantuar me Kushtetutën e Ukrainës për lirinë e mendimit dhe fjalës, për shprehjen e lirë të pikëpamjeve dhe bindjeve të tij”.

Por, thuhet në përgjigjen e tyre, “në të njëjtën kohë, kryetari i bashkisë së Kievit, lideri i partisë opozitare, nuk ka asnjë lidhje apo autoritet për të shprehur qëndrimin e Ukrainës për çështjet e politikës së jashtme”.

Një gazetë me bazë në Zvicër, por që publikon në gjuhën shqipe, Le Canton27, publikoi një intervistë me shkrim me Klitschkon.

“Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupoj vendin tonë-Ukrainën që më se 100 ditë, sikur ju që ishit dikur të okupuar nga Serbia”, thuhet në gazetë të ketë deklaruar Klitschko.

Ndaj kësaj deklarate reaguan politikanë nga Serbia, derisa ministri i Policisë, Aleksandër Vulin , tha se “atë që Klitschko ua pranon shqiptarëve në Serbi, do të duhet t’ua njohë rusëve në Ukrainë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore