Lajme

Kandiç për Albanian Post: S’jam politikane, s’marr pjesë në bisedimet Kosovë-Serbi


Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiç

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiç, ka thënë për Albanian Post se nuk është e gatshme të marrë pjesë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një kërkesë e tillë sipas presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte ardhur nga pala kosovare.

“Unë nuk jam politikane. Unë jam duke hetuar krimet e luftës dhe po avokoi për një listë të të gjitha viktimave si një kusht për t’u marrë me të kaluarën”, tha Kandiç.

Ajo theksoi se “me studiuesit në Kosovë dhe Serbi, jam duke përgatitur një studim mbi të zhdukurit në Kosovë” –

“Për t’u dhënë atyre emrat e tyre dhe për të ndihmuar në zbulimin e varreve masive”.

Por, edhe pse ka vendosur të mos marr pjesë në bisedime, Kandiç e ka përshëndetur veprimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pasi ky i fundit deshi t’ia jap presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç tri libra.

“Rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës”, “Listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur”, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Unë mbështes propozimin e kryeministrit Kurti për t’u marrë me të kaluarën. Fatkeqësisht, shteti i Serbisë nuk pranon”, ka shtuar ajo për AP.

Ndërkohë, takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, i zhvilluar më 19 korrik, pati përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kurti pas takimit kishte thënë se i ka propozuar Vuçiç-it një marrëveshje të paqes, e cila u refuzua pa u lexuar.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë që kisha kërkuar herën e kaluar, që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me 6 nene, por u refuzua ende pa u lexuar”, theksoi Kurti.

Ndërkaq Vuçiç, theksoi se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur të hënën.

“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth shtyrjes së Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore