Lajme

“Kancelarja ka mbështetje absolute për dialogun”, Jeta Krasniqi pas takimit me Merkel


Kancelarja, Angela Merkel dhe Jeta Krasniqi nga organizata jo - qeveritare KDI, gjatë takimit të Merkel me përfaqësuesit e shoqërisë civile nga gjashtë shtete respektive të Ballkanit Perëndimor.

“Ka një mbështetje absolute për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, nga ana e Kancelares Gjermane, Angela Merkel”.

Kështu është deklaruar, për Albanian Post, Jeta Krasniqi, menaxherja e projektit në organizatën jo qeveritare Kosova Democratic Institute (KDI), e cila gjatë ditë së hënë në Beograd, ishte takuar me Merkel, në kuadër të vizitës lamtumirës të kancelares në Ballkanin Perëndimor.

Merkel, përveç takimeve me liderët institucionalë ka takuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nga gjashtë shtete respektive të Gadishullit Ballkanik.

Krasniqi, duke mos dhënë shumë detaje pasi takimi ka qenë me dyer të mbyllura, për Albanian Post ka treguar se cilat ishin temat e diskutuara me Merkel.

“Unë pata mundësi që të flas për dialogun Kosovë – Serbi, se si e vlerësojmë ne këtë proces dhe çka presim ne nga ky proces si dhe për temën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Krasniqi për AP.

Gjatë takimit të Merkel me përfaqësuesit e shoqërisë civile nga gjashtë shtete respektive të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka shpalosur edhe mesazhin e dhënë nga ana e kancelares gjermane pa dhënë shumë detaje.

“Ka një mbështetje për perspektivën evropiane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe vetë arsyeja e Merkel që bën një vizitë lamtumirës në Ballkanin Perëndimor është një mesazh që tregon se ka mbështetje edhe për Ballkanin Perëndimor dhe për të ardhmen e këtyre shteteve si pjesë të BE-së”, ka përfunduar ajo.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë ditës së hënë ishte në një vizitë lamtumirës në Serbi, ku ishte takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa gjatë ditës së marte, Merkel u prit me nderime më të larta nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë vizitës së saj në Tiran, Merkel pritet të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave në Tiranë

Ndryshe, kjo vizitë e Merkel-it do të jetë e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” ka qenë ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.

Burime të Albanian Post nga Berlini kanë bërë me dije se takimi i Tiranës do të jetë edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.

Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore