Lajme

Kanadaja thirrje shtetasve të largohen nga Libani, Zvicra pezullon fluturimet për në Bejrut


Qeveria kanadeze u ka bërë thirrje shtetasve të vet në Liban që “të konsiderojnë largimin nga vendi” teksa fluturimet komerciale mbeten të disponueshme.

Kurse linja ajrore zvicerane Swiss ka njoftuar në një deklaratë për shtyp, pezullimin e linjave me Bejrutin deri më 28 tetor “për shkak të situatës në Lindjen e Mesme dhe tensioneve në kufirin midis Izraelit dhe Libanit”.

Pak ditë më parë, edhe Lufthansa dhe Eurowings njoftuan pezullimin e linjave të tyre drejt Bejrutit.

Sakaq, në faqen zyrtare, qeveria u kërkon kanadezëve që të shmangin “të gjitha udhëtimet jo thelbësore në Liban për shkak të situatës së paparashikueshme të sigurisë, rrezikut në rritje të sulmeve terroriste dhe konfliktit të armatosur me Izraelin”.

“Nëse konflikti i armatosur intensifikohet, mjetet tregtare të largimit nga vendi mund të preken”, ka vijuar njoftimi.

Aftësia e qeverisë së Kanadasë për të ofruar shërbime konsullore gjatë konfliktit aktiv, duke përfshirë evakuimin e qytetarëve, mund të jetë i kufizuar.

“Pas një shqyrtimi të thellë të situatës në Liban, ne kemi vendosur të pezullojmë linjat tona të kthimit midis Zvicrës dhe Bejrutit, një zgjatje e konfliktit nuk mund të përjashtohet aktualisht”, ka bërë me dije Swiss.

Pra, anulohen katër fluturime, më 17, 19, 24 dhe 26 tetor midis Cyrihut dhe kryeqytetit libanez.

Presidenti i shoqatës së agjencive të udhëtimit dhe turizmit në Liban, Jean Abboud, ka treguar se frika e një përhapjeje në Liban nga lufta midis Hamasit dhe Izraelit ka pasur një ndikim të rëndësishëm në trafikun e Aeroportit Ndërkombëtar të Bejrutit.

Ai ka njoftuar për një rënie prej gati 23% të hyrjeve në periudhën 10-15 tetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore