Lajme

Kanadaja tërheq 41 diplomatë nga India


Kanadaja ka tërhequr 41 diplomatë nga India.

Lëvizja vjen mes një mosmarrëveshjeje për vrasjen e një separatisti Sikh, ka bërë me dije ministrja e Jashtme Melanie Joly.

Ajo ka thënë po ashtu se Otava nuk do të ndërmarrë hapa hakmarrës.

Muajin e kaluar, New Delhi i kërkoi Otava-s të reduktonte praninë e saj diplomatike.

Kjo pasi kryeministri Justin Trudeau tha se kishte prova të besueshme të një lidhjeje të mundshme midis agjentëve indianë dhe vrasjes në qershor të Hardeep Singh Nijjar, 45 vjeç, i cili u qëllua jashtë një tempulli në Kolumbinë Britanike. .

Joly ka thënë se India kishte kërcënuar të revokonte në mënyrë të njëanshme statusin zyrtar të diplomatëve deri të premten, nëse ata nuk largoheshin.

Sipas saj, kjo lëvizje ishte e paarsyeshme dhe e paprecedentë dhe shkelte qartë Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

“Duke pasur parasysh implikimet e veprimeve të Indisë në sigurinë e diplomatëve tanë, ne kemi lehtësuar largimin e tyre të sigurt nga India”, ka thënë ajo.

“Nëse lejojmë që të thyhet norma e imunitetit diplomatik, asnjë diplomat kudo në planet nuk do të ishte i sigurt. Pra, për këtë arsye, ne nuk do të reagojmë”, ka shtuar ajo.

Tani Kanadaja ka 21 diplomatë në Indi. 41 të larguarit shoqëroheshin nga 42 persona në ngarkim.

Marrëdhëniet midis Indisë dhe Kanadasë janë zhytur pasi Trudeau e lidhi publikisht inteligjencën indiane me vrasjen e Nijjar, një qytetar kanadez të cilin New Delhi e kishte etiketuar si “terrorist”.

Kanadaja i ka bërë thirrje Indisë që të bashkëpunojë në hetim, por New Delhi ka hedhur poshtë akuzat dhe ka marrë kundërmasa, të tilla si mbyllja e shërbimeve të vizave për kanadezët.

Otava gjithashtu dëboi një diplomat indian për këtë çështje.

Ministri indian i Punëve të Jashtme Subrahmanyam Jaishankar ka thënë muajin e kaluar në New York se vendi i tij do të ishte i gatshëm të shqyrtonte çdo provë të paraqitur nga Kanadaja.

“Ne në fakt i kemi keqtrajtuar kanadezët. Ne u kemi dhënë atyre shumë informacione në lidhje me udhëheqjen e krimit të organizuar që vepron jashtë Kanadasë”, ka thënë Jaishankar, duke iu referuar separatistëve Sikh.

“Ne kemi një situatë ku në fakt diplomatët tanë kërcënohen, konsullatat tona janë sulmuar dhe shpesh bëhen komente që janë ndërhyrje në politikën tonë”, ka vijuar ai.

Rreth 2 milionë kanadezë, afërsisht 5% e popullsisë së përgjithshme, kanë trashëgimi indiane.

Kanadaja është shtëpia e rreth 770 mijë Sikh-ëve, ose afërsisht 2% e popullsisë së vendit, me një grup që bën thirrje për krijimin e një shteti të veçantë të Khalistanit.

India është deri tani burimi më i madh i Kanadasë i studentëve globalë, duke përbërë afërsisht 40% të mbajtësve të lejeve të studimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore