Shqipëria

Kanabis brenda repartit ushtarak, reagojnë autoritetet


Një mega-operacion i Policisë së Shtetit zbuloi në zhvillimin e saj një parcelë me lëndë narkotike në repartin ushtarak të Zall Herrit.

Autoritetet kishin angazhuar në operacionet anti-kanabis më shumë se 6 mijë forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, tre punonjës të repartit ushtarak: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë, Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture, P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge, I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Pas ngjarjes do të vinte reagimi i ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili do e vinte theksin te pezullimet në rang zyrtarësh ushtarakë të bazës.

Sipas ministrit, bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.

“Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast”, thekson Peleshi në reagimin e tij.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi nga ana tjetër se lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike.

“Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Shqiptarët presin një pastrim të territorit tonë nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. E përgëzoj sot Policinë e Shtetit e cila si asnjëherë më parë ka angazhuar në këtë mega-operacion kombëtar më shumë se 6 mijë forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë”, u shpreh zyrtari shqiptar.

Balla shprehet i vendosur se goditja ndaj krimit do të vazhdojë e rezultatet janë të dukshme ku deri më tani janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht.

“Deri në këtë moment janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht, asgjësuar deri sot në mëngjes mbi 17 mijë bimë cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash si dhe armë e sende të tjera të kundërligjshme. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, garaton Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore