Kosova

Kamberi: Vulini po synon të nxisë tensione në Luginën e Preshevës


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se kryespiuni serb, Aleksandër Vulin, tashmë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes përndjekjes së figurave politike po synon të nxisë tensione në Luginën e Preshevës.

Ardita Sinani, këshilltare politike për Luginën e Preshevës në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se të hënën është ndaluar për mbi një orë nga policia kufitare serbe, në vendkalimin kufitar në Muçibabë –  20 kilometra nga Gjilani dhe 15 kilometra nga Presheva – pa asnjë arsye dhe asnjë sqarim.

Prandaj, deputeti shqiptar ka kërkuar llogari nga Policia e Serbisë në Preshevë dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiç, ndërsa ka kritikuar edhe qasjen e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ndaj regjimit atje, i cili, sipas tij, përmes instrumentalizimit të serbëve, dëshiron të shtyjë rajonin drejt konfliktit.

“Është e qartë se policia politike e Aleksandër Vulinit, i akuzuar nga SHBA-të për ‘trafikim me narkotikë dhe armë, përfshirje në afera korruptive’, përmes përndjekjes së figurave politike po synon të nxisë tensione në Luginën e Preshevës”, ka shkruar deputeti Kamberi në llogarinë e tij.

Edhe vetë Sinani ka thënë se nuk ka pranuar asnjë sqarim shtesë lidhur me masën e ndalimit, veç arsyetimit të policëve kufitarë se “kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”, porse ajo ka aluduar se ndalimi i saj mund të jetë bërë për qëllime politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore