Lajme

Kamberi optimist se SHBA-ja do ta shtyjë përpara realizimin e planit 7 pikësh


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, tha se është gëzuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë duke e shtyrë përpara fillimin e realizimit të planit 7 pikësh nga pala serbe, nëpërmjet së cilit synohet zgjidhja e problemeve të komunitetit shqiptar në Serbi.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) theksoi se pas vizitës në Luginën e Preshevës javën e kaluar, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, nën shoqërinë e ambasadorit të OSBE-së, Jan Braathu, takuan kryeministren në ikje e kryeparlamentaren në ardhje të Serbisë, Ana Bërnabiç, pikërisht mbi planin 7 pikësh të aprovuar në 2013.

“Më gëzon angazhimi i OSBE dhe SHBA-së për të shtyrë përpara fillimin e realizimit të Planit 7 pikësh. Njohja e diplomave duhet të jetë hapi i parë”, shkroi Kamberi, duke shprehur njëkohësisht keqardhje që edhe pse i aprovuar në vitin 2013, realizimi i këtij plani, nëpërmjet së cilit synohet integrimi i shqiptarëve, ende nuk ka filluar të zbatohet në tërësi.

Plani 7 pikësh është një dokument i nënshkruar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – para një dekade, qëllimi parësor i së cilit ishte nisja e dialogut për zbatimin e masave të nevojshme për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke përfshirë në arsim, shëndetësi, kulturë e siguri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore