Kosova

Kalon mbi 2 miliardë euro vlera e kursimeve në Trust


Ilustrim

Mbi 2.3 miliardë euro ka arritur vlera e kursimeve të mbi 700 mijë kontribut- paguesve, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).

Qytetarët paguajnë dy tarifa ose rreth 40 euro në vit, varësisht nga bilanci në llogaritë e tyre, për menaxhimin e këtyre mjeteve.

Për tarifën investive, qytetarët paguajnë 0.32 për qind, kurse për atë operacionale 0.057 për qind, varësisht nga bilanci kontribuues që kanë në llogari.

Nga këto dy tarifa, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, apo siç njihet ndryshe Trusti, gjatë vitit 2020 ka arritur të grumbullojë rreth tetë milionë euro. Rreth 1.2 milion euro nga kjo shumë ndalen për t’i mbuluar shpenzimet dhe nevojat e punëtorëve të këtij Trusti.

Objekti i Trust-it në Prishtinë

Jeton Demi, zëdhënës në Trust, për REL ka treguar se “tarifa operacionale shpenzohet për nevojat e funksionimit të institucionit, duke filluar nga qiraja e zyrës, pagat e deri te postimi i pasqyrave të llogarisë dhe shpenzimet tjera për operim”.

Sipas Demit, “te tarifa investuese 0.32 për qind, kjo varet nga bilanci që personi ka në llogari. Por, marrim një llogari prej rreth 10 mijë eurosh, tarifa vjetore është rreth 32 euro ose 2.6 euro në muaj”.

Jeton Demi, zëdhënës në Trust

“Në rastin e tarifës operacionale, prapë po e marrim një llogari prej 10 mijë eurosh, kontribut-paguesi duhet të paguajë 5.7 euro në vit ose 50 centë në muaj. Por, nëse vlera është më e vogël, kjo vlerë shkon deri në 20 centë në muaj. Pasi, rreth 80 për qind e llogarive janë nën 10 mijë euro”, është shprehur ai.

Arsyeja e këtyre tarifave, siç thotë Demi, ndërlidhet me funksionimin e institucionit, por edhe me ruajtjen e vlerave të investimeve pensionale.

Sipas tij, FKPK ngarkon tarifa të ulëta menaxhuese dhe është ndër fondet pensionale me tarifat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore