Shqipëria

Kalimi në Morinë do të jetë i lehtësuar në 9 muaj të vitit, nënshkruajnë marrëveshje Balla e Sveçla


Qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Morinës me procedura të shpejtuara përgjatë nëntë muajve të vitit dhe në fundjavat e festave. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.

Kështu është firmosur në protokollin e fundit të rishikuar në Tiranë, nga ministrat e Brendshëm respektivë, ai shqiptar, Taulant Balla dhe ai kosovar, Xhelal Sveçla.

“Jam shumë i lumtur që sot në këtë vend historik, të jem bashkë me mikun tim Ministrin e Brendshëm të Kosovës, z. Sveçla për të shkruar bashkërisht një faqe tjetër në këtë kapitull të ri të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy shteteve tona”, përshkroi fillimisht Balla pas marrëveshjes së re.

Ai tha se kjo nismë vjen nga vullneti dhe angazhimi i përbashkët mes qeverive të dy vendveve dhe mes dy kryeministrave, për të vijuar politikat për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve në Pikat e Kalimit Kufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës drejt lehtësimit të plotë të kontrolleve në zbatim edhe të marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Përmes këtij nënshkrimi, Balla vijoi më tej duke thënë se do të mundësohet lehtësimi i procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 maj – 30 shtator dhe 1 nëntor – 28 shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 qershor deri në 30 shtator.

“Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona”, pohoi ministri Balla.

Nga ana tjetër, ministri Sveçla deklaroi se po punohet që qytetarët të mos ndjejnë asnjë kufizim në pikat kufitare.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”, deklaroi ai.

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes kësaj pike kalimi 1 milion e 445 mijë e 204 shtetas shqiptarë dhe 4 milionë e 430 mijë e 161 shtetas të huaj.

“Shifra që flasin për dyfishim të lëvizjeve në këtë pikë kufitare krahasuar me vitin 2021. Duke marrë në konsideratë në përgjithësi fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve në këtë pikë, si dhe po ashtu duke marrë në konsideratë situatën e veçantë gjatë sezonit turistik veror dhe sezonit turistik dimëror, sepse unë mendoj që duhet t’i japim një shtytje edhe sezonit dimëror, duke përfituar në fakt edhe nga bukuritë natyrore që ofron Kosova”, theksoi më tej ministri Balla.

Ai tha se në këtë aspekt përmes kësaj marrëveshje do të shmangim radhët e gjata dhe do të lehtësojmë kushtet e udhëtimit të qytetarëve tanë.

Teksa, uroi që këtë sezon turistik, të mirëpriten edhe më shumë “motra dhe vëllezër kosovar duke i garantuar që nuk ka asnjë pengesë të asnjë lloji në kufi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore