Kosova

Kadaj-Bujupi, Hazirit: ‘Fake it till you make it’, 71% e qytetarëve mendojnë se presidentja e meriton të vazhdojë punën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltarja Donika Kadaj-Bujupi dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

Këshilltarja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, lidhur me mbështetjen e qytetarëve ndaj presidentes.

Haziri, i cili deklaroi se mbështetja e qytetarëve për Osmanin është 8 për qind, sipas Kadaj-Bujupit, Osmani gëzon mbi 70 për qind të mbështetjes qytetare.

“Pak fact-checking ➡️ Sipas sondazhit të UBO-s dhe sondazheve ndërkombëtare në Kosovë, të cilat i kanë pa të gjithë liderët partiakë dhe ata të institucioneve, në pyetjen nëse Vjosa Osmani e meriton të vazhdojë punën si Presidente, 𝟳𝟭% janë përgjigjur se 𝗽𝗼, ndërsa vlerësimi për Presidencën si institucion është mbi 𝟲𝟮%”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se sipas sondazheve presidentja ka edhe vlerësimin më të lartë në Kosovë.

“Me gjasë ish-kryetari i Gjilanit e ka marrë si shumë seriozisht shprehjen ‘Fake it till you make it’ – ‘gënje deri sa t’ia arrish qëllimit’. Lutë, shprehja nuk i aplikohet publikimit të lajmeve, se pastaj është veç Fake News”.

“PS; Kushdo që dëshiron t’i shohë rezultatet e sondazhit, lajmërohuni dhe ua tregoj”, ka përfunduar Kadaj-Bujupi.

“8 për qind e ka popullaritetin Vjosa Osmani. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku e kanë popullaritetin më të madh”, ka thënë Haziri në një intervistë për T7, në emisionin ZEN me Artan Behrami.

Më 3 prill të 2023-ës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte emëruar Donika Kadaj Bujupi si këshilltare në kabinetin e saj.

Në Presidencë, Kadaj Bujupi do të angazhohet, ndër të tjera, në fushën e komunikimit publik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore