Lajme

Ka rrugëdalje për Rusinë?


Qeveritë perëndimore e ndihmojnë Ukrainën me armë, para, sanksione kundër Rusisë dhe një zgjedhje të qartë: jemi me ju, të sulmuarit, kundër agresorëve rusë.

Ka dallime në ndjeshmëri midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por duhet theksuar një pikë vendimtare kontakti mes dy palëve të Atlantikut.

“I takon Ukrainës të përcaktojë kushtet për negociatat me Rusinë”, ka pohuar në Strasburg presidenti francez Emmanuel Macron, në emër të të gjithë Bashkimit Evropian.

“Vetëm Ukraina ka fuqinë të përcaktojë se çfarë e konsideron të suksesshme”, ka përsëritur prej kohësh edhe Shtëpia e Bardhë.

Për sa kohë që Rusia vazhdon të bëjë kërdinë në qytetet e Ukrainës, Ukraina do të vendosë se sa kohë dëshiron ose mund të luftojë.

Nuk është një vendim i lehtë, sepse kushtet ndryshojnë sipas evolucionit ushtarak në terren dhe sa më shumë që lufta vazhdon, aq më shumë shtohen viktimat, aq më shumë dëshira për të mos i bërë të kota ato sakrifica.

Këtë e shpjegon qartë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Në muajt e parë të luftës e konsideruam si fitore tërheqjen e forcave ruse brenda kufijve përpara pushtimit të 24 shkurtit”, ka thënë ministri në një intervistë.

“Tani, nëse jemi mjaft të fortë në frontin ushtarak dhe fitojmë betejën vendimtare për Donbass-in, fitorja për ne do të jetë çlirimi i pjesës tjetër të territoreve tona”, ka vijuar.

Prandaj, në fuqinë e sukseseve ushtarake dhe ndihmës perëndimore, Kievi tani synon të rikuperojë integritetin e plotë territorial, duke përfshirë Krimenë dhe të gjithë Donbass-in, duke u rikthyer në situatën para pushtimit të parë rus të vitit 2014.

Ndryshe, në kufijtë e njohur nga e drejta ndërkombëtare.

Ukraina lufton për mbijetesën e saj si një vend i lirë, po Rusia?

Cili mund të jetë rezultati i pranueshëm i daljes nga një “operacion special ushtarak” që Putin-i shpresonte ta mbyllte brenda pak ditësh me rënien e Kievit?

Nëse Macron vijon me telefonatat e tij të gjata me Putin-in, është se përpiqet të identifikojë një interes të fshehur, diçka që e bind udhëheqësin e Kremlin-it të pezullojë veprimet ushtarake.

Këtu shfaqet një ndryshim në qëndrimin midis Evropës dhe SHBA-ve, i cili është bërë më i fortë gjatë javëve.

Deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden për Putin-in kanë lënë të kuptohet se Shtëpia e Bardhë e konsideron të përfunduar çdo mundësi për dialog me liderin rus.

Në fund të prillit, sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin, sqaroi objektivin e SHBA-ve se duhet “të shohësh Rusinë të dobësuar deri në atë pikë sa të mos mund të përsërisë më atë që bëri në Ukrainë”.

Parisi duket më pak i tërhequr nga një kolaps i Rusisë.

Më i prirur për të kufizuar luftën dhe për t’i dhënë fund krizës sapo Kremlin-i të hapë një dritare të vërtetë për negociata, nëse kjo ndodh ndonjëherë.

“Kur paqja të kthehet në tokën evropiane, kurrë nuk do të duhet të dorëzohemi para tundimit të poshtërimit”, ka thënë Macron në fjalimin e tij në Strasburg.

Pastaj, ai sqaroi pozicionin afatshkurtër të Francës gjatë takimit të tij me kancelarin Scholz, të hënën në mbrëmje në Berlin.

“Mbetemi të fokusuar në qëllimin tonë: të bëjmë gjithçka që është e mundur për një armëpushim”, ka thënë.

Kurse Italia është dukur më afër SHBA-ve javët e fundit.

Kryeministri Mario Draghi ka shprehur dyshime për dobinë e bisedimeve me Putin-in.

Megjithatë, “në Itali dhe në Evropë, njerëzit duan t’u jepet fund këtyre masakrave, kësaj dhune… ata pyesin se çfarë duhet bërë për të sjellë paqen”, ka deklaruar ai.

Evropa duket se po ecën krah solidaritetit të plotë me Ukrainën, me shpresën për të shmangur një luftë të pafund në territorin evropian.

Plus, çështja e hyrjes së Ukrainës në BE.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore