“Ka prapavijë elektorale” – “i jep vendit një tretman të konceptit të varfërisë”, ekonomistët për vendimin e Qeverisë për t’i ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Foto: Albanian Post

Valon Rashiti
13.12.2023 19:14
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës këtë të mërkurë shpërndau nga 100 euro për të gjithë pensionistët dhe fëmijët, mirëpo ekspertët e ekonomisë këtë po e konsiderojnë si “populizëm” dhe me “prapavijë elektorale”, meqë vlerësojnë që kjo formë e shpërndarjes së parasë është tregues për mungesë vizioni në zhvillimin e vendit.

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Erton Begës, kjo praktikë e konsoliduar në këtë qeveri tregon “për mungesë vizioni” për zhvillimin e vendit dhe “dështim” në ekzekutimin e buxhetit, që për rrjedhojë krijon suficit financiar, i cili pastaj shpërndahet me një klik në skema sociale.

“Nëse qeveria e ka seriozisht ndihmën për të moshuarit, duhet ta bëjë këtë përmes ligjit duke nivelizuar pagesën mujore për pensionistët me koston e rritur të jetesës, e jo të operoj me politika të tilla populiste”, tha Bega për Albanian Post.

Megjithatë, ai thotë se shtesa për fëmijë është e mirëseardhur, por metodat e operimit në këtë formë nuk janë praktikë e shteteve demokratike, sepse si e tillë është “jo-serioze dhe e pamatur”.

Erton Bega

“Veprimet ad-hoc dhe one-time-show nuk paraqesin politika zhvillimore të studiuara dhe vizion për të ardhmen, por janë pjesë e qëllimeve me prapavijë elektorale që krijojnë përcepcion për mbështetje shtetërore, por në fakt nuk është përkrahje e vazhdueshme”, ka shpjeguar Bega.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nagip Skenderi, ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët nga ekzekutivi e sheh si “truk qeveritar” për ta larguar vëmendjet nga zhvillimet politike.

“Shihet se është një truk qeveritar që ta largojë vëmendjen nga zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale për vendin. Thjesht, konsideroj se këto janë lëmosha sociale që i japin vendit një tretman të konceptit të varfërisë, e assesi të prosperitetit ekonomik e social”, theksoi Skenderi për AP.

Prandaj, profesori Skenderi insiston që partitë në pushtet, po ashtu edhe ato në opozitë do të duhej dalin me hartimin e strategjive ekonomike e sociale për një zhvillim ekomomik, e ngritje të standardit social të qytetarëve.

Nagip Skenderi

“Nuk duhet të mashtrohen qytetarët me lëmosha sociale njëherë në vit, atëherë kur Qeveria pret si kundërshpërblim votën e qytetarit. Pensionistët kanë nevojë për një pension të dinjitetshëm, shikoni se çfarë bëri Qeveria e Malit te Zi duke ua rritë pensionin në 450 euro, kurse tek ne pensionet sillen prej 100 deri 250 Euro. Do të duhej angazhuar për rritje të pensioneve për jetë normale, e jo të vrapojnë pas ‘baba dimrit’ për një dhuratë simbolike prej 100 euro”, potencoi ai.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushteti synon që vitin e ardhshëm të avancojë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

Më 16 nëntor, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Projektligji fillimisht ishte miratuar nga Qeveria më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.

Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.

Të fundit

Aktuale