Kampionate

Juventus përdor Bentancur-in për shkëmbim me Atletico Madrid-in


Juventus-i është duke monitoruar situatën e disa lojtarëve të Atletico Madrid-it dhe po kërkon që një prej tyre ta marrë duke ofruar në shkëmbim Rodrigo Bentancur-in, raporton Mundo Deportivo. Lojtari pëlqehet shumë nga tekniku Diego Simeone.

Mesfushori zgjati kontratën e tij me Juventus-in në 2019 deri në 2024, por pritet të jetë ndër largimet e para në fund të sezonit, pas shumë problemeve që Zonja e Vjetër hasi në mesfushë këtë sezon.

Juventus-i interesohet për tre lojtarë të Atletico Madrid-it: Gimenez-in, Lodi-in dhe Lemar-in. Të tre lojtarët, Atletico nuk dëshiron t’i nxjerrë në merkato, por përballë faktit që Bentancur-i është lojtar që pëlqehet nga Simeone, gjithçka mund të ndodhë dhe ata nuk janë më të paprekshëm.

Për t’u diskutuar mes dy klubeve është dhe çështja e Alvaro Morata-s. Juventus-i e mori spanjollin në huazim nga Atletico për 10 milionë euro, me të drejtë huazimi po për 10 milionë euro për sezonin e ardhshëm dhe me të drejtë blerje në fund të sezonit të ardhshëm për 35 milionë euro.

Nëse Juventus-i dëshiron ta transferojë përfundimisht Morata-n në fund të këtij sezoni, do duhet të paguajë 45 milionë euro.

Gjithashtu në aksin Torino – Madrid, një tjetër emër që përmendet, është ai i Paulo Dybala-s. Argjentinasi është një tjetër emër që ndiqet me interes nga Atletico dhe pëlqehet nga Simeone. Ai nuk ka rinovuar kontratën dhe në verë pritet të largohet nga Juventus-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore