Juventus-i rikthehet te fitorja, sërish nuk pëson gol

Pas tre barazimeve radhazi, Juventus-i rikthehet te fitoja në Serie A
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 20:01
Loading Icons...

Me një mbrojtje të hekurt dhe me rizgjimin e Dusan Vlahovic-it, Juventus-i është rikthyer te fitorja në Serie A duke mundur me rezultatin e pastër 3-0 Genoa-n në shtëpinë e këtyre të fundit.

“Luigi Ferraris” priti duelin e javës së gjashtë në Serie A mes vendasve të Genoa-s dhe miqëve nga Torino të Juventus-it.

Bardhezinjtë bënë një ndeshje me dy fytyra, ku në pjesën e parë u fokusuan më shumë në zotrimin e topit, ndërsa në të dytën krijuan raste të shumta dhe shënuan tre herë.

Thiago Motta e nisi ndeshjen me rotacione nga formacioni bazë duke hedhur nga minuta e parë në fushë emra si Mattia Perin, Jonas Rouhi, Danilo apo dhe Nicolo Fagioli.

Pasi pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, e dyta do të ishte një histori krejtësisht ndryshe.

Juventus-i gjeti shumë shpejtë golin, pasi vendasit shkaktuan penallti. Vlahovic mori përsipër ekzekutimin e saj në minutën e 48-të duke e dërguar topin në fundin e rrjetës.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Vlahovic do të dyfishonte shifrat pas një asistimi perfekt nga Teun Koopmeiners.

Goli i tretë dhe i fundit i takimit do të shënohej nga Francisco Conceicao në minutën e 89-të, me asist të Khephren Thuram.

Me fitoren e arritur, Juventus ngjitet në krye të Serie A me 12 pikë. Ndërsa, Genoa qëndron në vendin e 16-të me 5 pikë.

Më herët, këtë të shtunë në Serie A, Inter-i fitoi 3-2 përballë Udinese-s. Ndeshja e fundit e ditës do të jetë ajo mes Bologna-s dhe Atalanta-s (ora 20:45).

Java e gjashtë e Serie A nisi të premten me takimit Milan – Lecce 3-0. Të dielën zhvillohen takimet: Torino – Lazio, Roma – Venezia, Como – Verona, Empoli – Fiorentina, Napoli – Monza. Java mbyllet të hënën me duelin Parma – Cagliari.