Sport

Juventus-i nuk i ndahet Sassuolo-s, pas Locatelli-t kërkon një tjetër mesfushor


Juventus-i po kërkon të ndërhyjë në mesfushë, duke shtuar dhe numrin e të rinjëve në skuadër. Plani i merkatos dimërore për bardhezinjtë është afrimi i një sulmuesi dhe një mesfushori.

Pikërisht të dy alternativat e “Zonjës së Vjetër” mund të jenë nga Sassuolo. Pas interesimit për Gianluca Scamacca-n, bardhezinjtë kanë piketuar dhe një mesfushor në “Mapei”.

Bordi i Juventus-it vlerëson 22-vjeçarin, Davide Frattesi-n, si përforcimin e duhur në mesfushë, raportojnë mediat italiane.

Mesfushori i formuar në ekipet zinxhire të Roma-s, në vitin 2017 kaloi te Sassuolo për shifrën e 5 milionë eurove.

Ai ka kaluar disa kohë në huazim te Ascoli, Empoli dhe Monza, përpara se të merrte vendin në formacion të të larguarit, Manuel Locatelli-t. Me këtë të fundit që kaloi te Juventus-i.

Frattesi është paraqitur në të 19 ndeshjet e këtij sezoni në Serie A, duke luajtur 93% të minutave. Katër gola dhe një asist mbajnë emrin e tij.

22-vjeçari ka shënuar një nga dy golat e fitores së Sassuolo-s (2-1) përballë Juventus-it, në “Allianz Stadium” këtë sezon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore