Sport

Juventus, Allegri: Kampionati është rrugë e gjatë, Paulo lojtar i madh


Trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së të shtunës përballë Udinese-s.

Livornezi ka prekur disa nga çështjet e fundit të skuadrës, nga humbja e Superkupës, te kontrata e Paulo Dybala-s, merkato, por dhe ndeshja me Udinese-n.

Allegri lë pas krahve humbjen në Superkupë dhe kërkon fokusim te ndeshja me Udinese-n. Ekip të cilin e vlerëson për cilësitë fizike.

“Nuk bëhet fjalë për reagim sepse Superkupa është një ndeshje teke dhe kampionati është një rrugë më e gjatë”, tha trajneri.

“Nesër do të përballemi me një ekip fizik, i cili mbrohet shumë mirë. Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ato ndaj Roma-s dhe Inter-it. Do të duhet durim dhe qartësi, si dhe shumë saktësi teknike”, shtoi ai.

Duke folur për ndeshjen me Udinese-n, Allegri konfirmoi disa ndryshime në formacion. Teksa shtoi që Leonardo Bonucci kishte përsuar një dëmtim të vogël dhe do të mungonte.

“Sigurisht që do të ketë disa ndryshime sepse kemi luajtur shumë ndeshje”, vijoi të thoshte livornezi.

“Kam disa lojtarë në dispozicion. Danilo ende nuk është në maksimumin e tij dhe Bonucci ka pasur një tendosje të vogël të muskujve, ai nuk do të jetë nesër, do ta kemi në dispozicion pas pauzës”, theksoi 54-vjeçari.

Përsa i përketë merkatos, tekniku vijoi të thoshte atë që ka përmendur gjithmonë, që sezoni do të mbyllet me lojtarët që ka në organikë.

“Kjo është skuadra dhe me këta lojtarë duhet të arrijmë në fund të vitit. Po rritemi si ekip dhe duhet të qëndrojmë të qetë”, theksoi Allegri.

“Objektivat janë gjithmonë të njëjtë, duhet të arrijmë në top katërshen e kampionatit dhe të përpiqemi të ecim përpara në Champions League”, vijoi ai.

54-vjeçari nuk la pa përmendur edhe rastin e Paulo Dybala-s. Argjentinasi duket se nuk do të rinovojë kontratën me Juventus-in.

“Vlerësimet kontraktuale janë në dorën e klubit. Për sa i përket vlerës teknike të Dybala-s, mund të them se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, tha tekniku.

“Pres një rritje nga ana e tij në ndeshjet e ardhshme, Paulo është një lojtar i madh”, shtoi ai.

Në përfundim, Allegri foli për formacionin startues, ku konfirmoi disa emra nga minuta e parë.

“Pellegrini është mirë dhe mund të luajë kundër Udineses që nga fillimi, por do ta vlerësojmë nesër. Szczesny do të kthehet në portë”, pohoi Allegri.

“Do të vlerësoj, se kë do të rreshtoj mes Bernardeschi dhe Kulusevski sepse ata të dy luajtën një ndeshje të mirë kundër Inter-it”.

“De Ligt dhe Rugani do të luajnë si qendërmbrojtës. Chiellini luajti një ndeshje të mirë të mërkurën mbrëma, por ai duhet të pushojë”.

“Bonucci është gjobitur. Ai do të paguajë gjobën dhe do ta mbyllë çështjen. Juventus-i ka qenë gjithmonë i respektueshëm ndaj kundërshtarëve dhe arbitrave”.

“Meqë ra fjala, Doveri e drejtoi shumë mirë ndeshjen e Superkupës të mërkurën”, përfundoi deklaratën e tij për media, Allegri.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore