Lajme

Juristja e të drejtave të medieve: Sa para janë mbledhur në Fondin e Sigurisë nuk duhet të jetë informatë e klasifikuar


Flutura Kusari, Juriste e të drejtave të medieve

“Sot kam bërë kërkesë për deklasifikimin e informacioneve rreth mjeteve të mbledhura për Fondin e Sigurisë, pranë Agjensionit për Informim dhe Privatësi në Kosovë”, ka shkruar në llogarinë e sajë në Facebook, Flutura Kusari, juriste e të drejtave të medias.

Në kërkesën e saj, Kusari thotë se ka përdorur disa argumente.

“Kushtetuta parasheh që financat publike menaxhohen në mënyrë transparente dhe poashtu garanton të drejtën e qasjes në dokumente publike.

Buxheti për FSK dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë është publik, njëjtë duhet të jetë buxheti i Fondit të Sigurisë.

Informacioni i kërkuar është vetëm statistikor, nuk rrezikon sigurinë e shtetit.

Vendimi për klasifikim nuk përmban testin e dëmit dhe të interesit publik”, ka theksuar Kusari.

Ajo ka shtuar se shuma e mbledhur në Fondin e Sigurisë, si informatë “nuk guxojnë të klasifikohen për të parandaluar turpërimin e një institucioni”.

“Tashmë ka precedent për deklasifikimin e informacionit siç është deklasifikimi i informacioneve për fondin për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë”, ka thënë Kusari.

Juristja Kusari, ka kujtuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka më shumë se pesë raste të vendosura në favor të transparencës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur në më shumë se dhjetë raste në favor të transparencës “duke shkuar aq larg sa të urdhërojë publikimin e numrit të personave të përgjuar nga agjencitë e inteligjencës”, ka specifikuar ajo.

“Kam besim që Agjencia do të urdhërojë deklasifikimin dhe do t’ia mundësojë gazetarëve, aktivistëve dhe të tjerëve që të raportojnë dhe informohen për këtë fond”, ka përfunduar Kusari.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka të drejtë që brenda 30 ditëve t’i kthej përgjigje, juristes Kusari, nga data kur është bërë kërkesa.

Më 31 mars të këtij viti, një muaj pas themelimit të Fondit të Sigurisë, redaksia e Albanian Post kishte kërkuar të di se cila është shuma e mbledhur në të, pasi u bë thirrje që qytetarët vullnetarisht të japin para aq sa kanë e munden për të rritur buxhetin për ushtrinë.

“Të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale”, ishte përgjigjur përmes postës elektronike Luljeta Muçolli, zyrtare në Thesar, në Ministrinë e Financave në Kosovë.

Sipas saj, të dhënat për shumën konsiderohen konfidecnaile “bazuar në vlerësimet profesionale, për shkaqe të aspekteve të sigurisë shtetërore, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore