Lajme

Absurdi/Përse Qeveria po e fsheh shumën e mbledhur për Fondin e Sigurisë?


Forca e Sigurisë së Kosovës

Kërkesa u bë publike, por vlera e parave jo.

Qeveria e Kosovës po refuzon të tregojë se cila është shuma e mbledhur në të ashtuquajturin Fondin e Sigurisë, fond i themeluar pasi u bë thirrje që qytetarët vullnetarisht të japin para aq sa kanë e munden për të rritur buxhetin për ushtrinë.

Nga data 1 mars, kur përmes kryeministrit Albin Kurti, u bë e ditur për themelimin e fondit, nuk është dhënë asnjë informacion për grumbullimin e këtyre parave.

Kurti është pyetur disa herë. Disa herë nuk ka treguar.

Albanian Post ka pyetur Qeverinë e Kosovës për të njëjtën çështje, por është refuzuar të kthehet një përgjigje prapa dhe një komunikatë boshe është dërguar vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Pas pritjes prej një jave të një përgjigjeje nga zyra për media e Qeverisë dhe Ministria e Financave është dhënë vetëm një e-mail për zyrën e Thesarit, duke adresuar atje si përgjegjës për informim në këtë rast.

As nga kjo zyrë s’është kthyer gjë, derisa AP është ankuar në Agjencinë për Informim.

Dy ditë pas ankesës, Luljeta Muçolli, zyrtarja nga Thesari, ka kthyer një përgjigje, sa për të treguar se s’mund ta japë asnjë të dhënë për këtë çështje.

“Të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale”, ka thënë, përmes e-mailit, Muçolli.

Sipas saj, të dhënat për shumën konsiderohen konfidecnaile “bazuar në vlerësimet profesionale, për shkaqe të aspekteve të sigurisë shtetërore, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Por, përse duhet të jetë shuma konfidenciale?

Sipas asaj që është njoftuar kur u bë i ditur themelimi i Fondit, këto para të mbledhura do të shkojnë në buxhetin e përgjithshëm për ushtrinë.

Buxheti për ushtrinë, jo që nuk është konfidencial, por është reklamuar për javë të tëra duke treguar se si Qeveria e ka rritur në 100 milionë euro.

Përse nuk përbën rrezikim të sigurisë kombëtare njohja e buxhetit për ushtrinë dhe më pas përbën rrezik të sigurisë kombëtare njohja e një shume të këtij buxheti?

Edhe për ish-deputetin e Kosovës dhe njohësin e çështjeve ekonomike e legjislative, Visar Ymerin, fshehja e shumës së mbledhur nuk bën sens fare, aq më tepër kur argumentohet me rrezikim të sigurisë kombëtare.

“Në parim fondet e mbledhura nga para publike duhet të jenë transparente. Qeveria nuk ka të drejtë të kërkojë para në mënyrë vullnetare nga qytetarët e pastaj të mos tregojë se sa janë mbledhur”, thotë ai për Albanian Post.

“Cili është shpjegimi për këtë klasifikim?”, pyet Ymeri.

Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i IPS Musine Kokalar

“Ky fond ka pasur për qëllim ta rrisë nivelin e parave të shpenzuara për qëllime sigurie. Kryesisht, siç është proklamuar nga Qeveria, fondi do të krijojë para shtesë për sektorin e mbrojtjes. Pra për Forcën e Sigurisë së Kosovës (edhe pse jo vetëm). Nga ky aspekt a nuk do të duhej që edhe shuma e buxhetit që ndahet për Ministrinë e Mbrojtjes të jetë konfidenciale? Ç‘kuptim ka që 100 milionëshi i ndarë nga Buxheti për FSK të proklamohet aq zëshëm e me aq krekosje nga gati se secili përfaqësues politik i partisë në pushtet, ndërkohë që Fondi i Sigurisë qenka konfidencial?”.

“Pra 100 milionë të ndara nga buxheti nuk po e dëmtojkan interesin e sigurisë. Por kjo shtesa nga Fondi po”.

Vendimi për të mos treguar shifrën nuk bën kuptim as po u krahasua me vende të tjera, sepse shifrat që shpenzohen për ushtrinë, apo buxhetet e sigurisë, askund nuk janë çështje sekrete.

Total i shpenzimeve për ushtri në vendet perëndimore është zakonisht informatë publike.

“Me një kërkim të thjeshtë në internet mund të gjesh shumën që e shpenzon ShBA, Britani e Madhe, Franca, madje edhe Rusia e Kina”, pohon Ymeri.

“Edhe fjalimi i kanceralit gjerman ku e shpalli se do ta ngris buxhetin e mbrojtjes për 100 miliardë euro bëri jehonë ndërkombëtare. Pse qenka shpenzimi i Kosovës për mbrojtje kaq sekret e konfidencial?”.

Për këtë nuk ka një përgjigje. Përveç, besimit që zyrtarja e Thesarit, Luljeta Muçolli, tha se njerëzit duhet ta kenë në qeveri se nuk do të bëhen keqpërdorime.

“Sidoqoftë, ju sigurojmë se mjetet e mbledhura në llogarinë e Fondit të Sigurisë janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes, ndërsa do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi”, shkruan ajo në përgjigjen për AP-në.

Kjo është hera e parë që institucionet qeveritare refuzojnë të tregojnë për shuma të një fondi që mbushet nga paratë e qytetarëve të vendit.

Veç shumës që mbahet sekret, transparencë nuk ka pasur as në planin konkret se si do adresohen këto të holla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore