Lajme

“Ju jeni njerëz të paaftë e të padijshëm”, thotë Tahiri – Konjufca kërkon “sinqeritet” nga opozita


Deputeti i PDK, Abelard Tahiri dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka refuzuar që të votoj marrëveshjet ndërkombëtare në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se miratimi i këtyre marrëveshjeve do të duhej të ndodhte në muajin prill.

Sipas tij, kuvendi ka një shumicë me “njerëz të paaftë e të padijshëm”.

Këto fjali Tahiri, ia tha pushtetit për shkak të moskoordinimit që vlerëson se nuk është në nivelin e duhur.

“Pra, problem i madh që e ka Kuvendi i Kosovës jeni ju, ju jeni problem i këtij problemi nuk jemi ne si opozitë, ju jeni shumica neglizhenca juaj mos angazhimi juaj, mos puna juaj, katrahura që ju e keni vendosur Kuvendin e Kosovës bën që për tre muaj për ju të jetë krejt e parëndësishme kjo marrëveshje ndërkombëtare”.

“Dhe sot vini thoni se çka keni për Prishtinën ju? Ne e kemi problemin me juve me paaftësinë e juaj, paditurinë e juaj. Nuk është faji jonë që tash e 3 muaj ditë i keni në agjendë dhe nuk arrini të i përfundoni”.

“Ju jeni njerëz të paaftë, të padijshëm dhe jeni njerëz që nuk arrini të koordinohuni me njëri-tjetrin. Është e parëndësishme nëse një deputet del jashtë apo hyn brenda ne e kemi qëndrimin e qartë politik që këto marrëveshje ne s’do t’i votojmë”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar sinqeritet nga Tahiri sepse në mbledhjen e kryesisë deklarata që ai pretendon se ka marrë nga grupet parlamentare të secilës parti është “që do të sjellin aq deputetë sa kanë mundësi në seancë”.

“Secili grup parlamentar jeni pajtuar në një pikë: Do të sjellim aq deputetë sa të kemi mundësi. Është dashur të më thoni mua në rast se nuk votoni marrëveshjet ndërkombëtare dhe kjo seancë nuk do të ishte thirrur”.

“S’po më intereson mua qëndrimi yt përse ju jeni kundër marrëveshjeve ndërkombëtare, ai është qëndrim i PDK-së unë e respektoj. Mirëpo, është dashur të ma thoni të vërteten, sinqeritet po kërkoj pastaj e mendoj nëse është e arsyeshëm apo jo mbajtja e një seance”.

Pas këtij debati Konjufca, ka përfunduar seancën e së enjtes në mungesë të kuorumit për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore