Lajme

Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç dënohen me nga 12 vite burgim


Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç

Me nga 12 vite burg janë dënuar Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç nga Gjykatat e Kombeve të Bashkuara në Hagë. Të mërkurën është marrë vendimi për dy ish-shefat e shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të cilët akuzohen për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Prokuroria provoi se krimet që ishin përfshirë në aktakuzë u konfirmuan. Vrasjet dhe transferimet me forcë u kryen me qëllim diskriminues, raporton aljazeerabalkans.

Grupet paraushtarake, të cilët udhëhiqeshin nga ta, kanë përfshirë njësitë elitare, të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit. Për këto dy njësi dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.

Në vitin 2013, Gjykata në Hagë ka liruar Stanishiçin dhe Simatoviçin nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mirëpo, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, gjykatësit kanë urdhëruar në vitin 2015 rigjykim të rastit kundër tyre, i cili ka nisur në vitin 2017.

Stanishiç dhe Simatoviç u arrestuan në vitin 2003 pas akuzave nga Gjykata e Hagës, e cila i akuzoi ata për vrasje, abuzim, persekutim dhe krime të tjera të kryera në Bosnjë-Hercegovinë nga viti 1991 deri në 1995.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili ka luftuar në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Millosheviç është gjykuar, po ashtu, në Hagë, por ka vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006.

Më 8 qershor, ish-komandanti serb i Bosnjes, Ratko Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe kundër popullatës jo serbe në luftën e Bosnjës.

Ai ka humbur apelin e bërë kundër dënimit të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata ka mbajtur vendimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore