Lajme

Joseph: Moszbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Serbi fitore e Rusisë dhe Kinës


Edward Joseph

Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph, në një intervistë për Zërin e Amerikës, është shprehur se përveç Prishtinës dhe Beogradit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përgjegjësi të madhe për zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, thotë ai.

Sipas profesorit, dështimi i kësaj marrëveshje do të ishte një fitore për kundërshtarët e ShBA-ve dhe BE-së.

“Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte një dështim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe do të ishte një fitore për Rusinë dhe Kinën, nuk di si ta bëj më të qartë se kaq”, shtoi ai.

Ndërkaq, profesori potencoi se një pjesë e madhe të diplomatëve që akreditohen në rajon u pëlqen të thonë “mos mendoni për të kaluarën, thjesht shikoni të ardhmen”, por sipas tij kjo është tejet e paqëndrueshme dhe ai bëri një analogji me Ukrainën e cila është në luftë me Rusinë.

“Mund ta imagjinosh ta thuash këtë në Ukrainë pas luftës? Imagjino edhe pesë, 10 vjet, 20 vjet pas luftës, a mund ta imagjinosh të shkosh në Ukrainë dhe të thuash ‘thjesht harro të kaluarën dhe shiko nga e ardhmja me Rusinë’?”, tha ai.

Këto komente ai i bëri duke iu referuar deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili në 24 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë i kërkoj falje serbëve.

“Ambasadori Hill përdori saktësisht të njëjtat fjalë që përdori Joe Biden kur ishte nënpresident kur shkoi në Beograd në vitin 2016. Pse është ky një problem? Sepse shtatë vjet më vonë shohim që fjalët e nënpresidentit Biden nuk patën asnjë ndikim në Serbi. Thjesht Vuçiç dhe të tjerët thanë “faleminderit shumë, ne jemi viktimat””, tha ai.

Ndërsa, pas marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, Josep thotë se ndihet i zhgënjyer nga qëndrimet e vendeve mosnjohëse të Kosovës për të mos e ndryshuar qëndrimin e tyre për këtë çështje.

“Sugjerimi im për t’u dhënë atyre një shtysë është që Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe kjo do ta transformojë të gjithë çështjen”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore