Futboll

Jorginho, një ndër favoritët për të fituar Topin e Artë


Nëse ndër kriteret kryesore për të fituar Topin e Artë, janë fitimi i trofeve me klube apo kombëtare, atëherë futbollisti italian, Jorginho, posedon mjaft prej tyre, për të qenë një ndër kandidatët kryesor.

Mesfushori italiano-brazilian, ka fituar tre trofe gjatë sezonit të kaluar, në të cilat ishte një ndër futbollistët kyç në sukseset e skuadrave të tij.

Të parin trofe që e ngriti lartë Jorginho, ishte suksesi më i dëshiruar për çdo klub në Evropë.

Ai fitoi Ligën e Kampionëve me skuadrën e Chelsea-t, duke mposhtur në finale Manchester City-n, ku Jorginho bashkë më mesfushorin Kante, ishin ndër pikat kryesore deri te suksesi i skuadrës londineze.

Tjetër sukses shumë të rëndësishëm, futbollisti me prejardhje braziliane, e fitoi me kombëtaren e Italisë.

Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian, “Euro 2020”, ku Italia triumfoi në fund, duke mposhtur në finale Anglinë vendase, pas ekzekutimit të penalltive.

Sikur të mos mjaftonte suksesi i kombëtares së tij, 29-vjeçari ishte një ndër më meritorët për fitoren e Italisë, duke qenë titullar i pazëvendësueshëm në mesfushën e të kaltërve.

Dhe në fund, Jorginho ia doli të fitojë Superkupën e Evropës, me skuadrën e Chelsea-t, duke e mposhtur në finale ekipin spanjoll, Villareal, edhe këtë pas ekzekutimit të penalltive.

Në këtë finale, Jorginho e nisi nga stoli ndeshjen, sepse ai vetëm kohëve të fundit filloi stërvitjet para-sezonale, pas angazhimit që kishte me Italinë në Euro 2020.

Pra, të gjitha këto suksese dhe paraqitje të mira, e bëjnë Jorginhon një ndër kandidatët kryesor për të ngritur lartë trofeun më të çmuar individual në botë.

Kandidat tjetër serioz për të ngritur lartë këtë trofe, mbetet edhe argjentinasi Lionel Messi, i cili mban rekord në këtë sukses, pasi që gjashtë herë më parë e ka fituar Topin e Artë.

Ylli argjentinas mbylli një sezon deri diku zhgënjyes me Barcelonën, duke fituar vetëm Kupën e Mbretit, por ia doli të fitonte në Copa America me Argjentinën dhe tani do të duhet të bëjë vërtetë një start perfekt të aventurës te PSG-ja, për të provuar të parakalojë Jorginhon në garën për Topin e Artë.

Ndërsa futbollistët të tjerë si Ronaldo, Neymar Lewandowski e Kevin De bruyne, të cilët patën paraqitje tejet të mira me klubet e tyre, mund ta shohin veten jashtë garës për të fituar Topin e Artë, pasi që numri i trofeve të fituar me klube apo kombëtare, nuk e arrin nivelin e Jorginhos e Messit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore