Gjykata Speciale

Jo veç për Thaçin, Ministria e Drejtësisë s’po paguan as avokatët e të akuzuarve të tjerë


Avokati i Ismet Bahtijarit.

Mbrojtja e Ismet Bahtijarit në Gjykatën Speciale ka bërë kërkesë ndaj Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës që ta themelojë një komision për të shqyrtuar kërkesat e tyre për financim, por që sipas avokatit të Bahtijarit, ky komision nuk është themeluar asnjëherë ndonëse kërkesa ka qenë e vazhdueshme.

Nga avokati i Bahtijarit, Elystan Reese u tha se Ministria e Drejtësisë kërkoi që të shtyhet kjo çështje në disa raste duke dhënë arsyetime.

“Ne i kemi kërkuar vazhdimisht Ministrisë së Drejtësisë që ta trajtojë këtë çështje brenda 10 ditësh dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodence ku ministria e Drejtësisë kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje”, tha Reese.

Ai tutje ka deklaruar se edhe pse kishin marrë premtim nga ministria se do të ketë takime, nuk u informuan më se kur pritet të mbahen ato.

“Na kanë dhënë disa data ku do të takohet ky komision, pastaj në çdo rast na është thënë se do të vonohen, kjo ka vazhduar gjatë gjithë dhjetorit, janarit dhe në javët e kaluara”.

“Ne jemi përpjekur që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe i kemi besuar që do ta zgjidhim këtë çështje, por në fakt kjo është kosto për ne, është dështim. Sepse, edhe sot që jemi këtu ende nuk është mbajtur dhe ende nuk na është konfirmuar ndonjë vendim i ndonjë takim”.

Avokati ka ritheksuar edhe ligjin që është tek ministria e Drejtësisë për mbrojtjen e të akuzuarve.

Mbrojtja e Ismet Bahtijarit.

“Ligji mbi mbrojtjen dhe personave të akuzuarve të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kërkon mbështetje tek Kosova, që t’i mbështesë nga pikëpamja financiare të akuzuarit dhe kjo përmes legjislacionit dytësore të ministrisë së Drejtësisë. Ky ligj e pranon në hyrje të tij sakrificën dhe kontributin që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Mbrojtja tjetër e Bahtijarit, avokatja Felicity Gerry KC, e cila u lidh përmes video-lidhjes ka thënë se kërkon që kjo seancë të shtyhet deri në momentin derisa të sigurohet financim për ta.

“Unë jam online sot, për shkak se nuk kam financim”, ka deklaruar ajo duke shtuar se “në mungesë të një ekipi unë nuk jam në gjendje ta bëjë punën time”.

“Unë po përmbush obligimet e mija në një situatë shumë të pakëndshme financiare. Unë besoj se ju e kuptoni se sa vështirë është të përfaqësohet një individ pa financim”.

“Ne e kemi bërë një numër të kërkesave ndaj ministrisë së Drejtësisë, për t’i dhënë përgjigje çështjes sonë për financim. Ne i kemi njoftuar të gjithë se ka pasur problem me financim. Nuk kemi pranuar asnjëherë kërkesë që nuk do të marrim fondet, por më duket se ka nevojë të takohet ky komision dhe të na tregojë se për çfarë”.

“Aktualisht, unë nuk jam në gjendje që flas lidhur me financimin, por shpresoj se ekipi im do të financohet”.

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore