Film

Jennifer Lopez po rikthehet fuqishëm, njofton albumin dhe filmin e ri “This Is Me…Now”


Këngëtarja, Jennifer Lopez po rikthehet fuqishëm në tregun muzikor, derisa tanimë ka njoftuar edhe datën zyrtare të publikimit për albumin e saj të nëntë në studio, “This Is Me… Now”.

Madje, bashkë me albumin, ajo ka zbuluar se do të ketë edhe një film shoqërues – të dyja janë planifikuar të dalin më 16 shkurt të vitit 2024.

Njoftimi vjen më shumë se dy dekada pas publikimit të albumit të saj të tretë, “This Is Me…Then”, shkruan People, transmeton AlbanianPost.

Projekti i ri, i cili shërben si vazhdim i albumit të vitit 2002, do të përbëhet nga të dy pjesët, “This Is Me… Now: The Album” dhe “This Is Me… Now: The Film”, i cili do të jetë i disponueshëm për t’u transmetuar në Prime Video.

Lopez, 54 vjeçe, e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke ngacmuar gjithashtu publikimin e këngës së saj të re, “Can’t Get Enough”, e cila vjen më 10 janar.

“Kjo përvojë muzikore është një manifestim përmes muzikës, filmit dhe realitetit, i rrugëtimit të jetës në kërkim të së vërtetës për dashurinë”, thuhet në një mesazh nga Lopez.

Një tjetër pamje paraprake, e shpërndarë, tregoi Lopez të ulur jashtë në shi ndërsa lexonte një letër dhe e hidhte në një oxhak.

“Kur isha vajzë e vogël, kur dikush më pyeti se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha, përgjigja ime ishte gjithmonë… e dashuruar”, ka rrëfyer ajo.

Letra që Lopez hodhi në zjarr mbante datën 24 dhjetor të vitit 2002.

“Jeta është e vështirë, por ti je e ëmbël. Faleminderit për dhuratën. Shpresoj që të të pëlqejnë lulet. Më the se nuk mund të ngopesh kurrë. Unë të besoj”, u tha në letër.

“This Is Me… Now” përmban shkrime dhe produksion ekzekutiv nga Lopez dhe Roget Chayed, dhe përmban kredite shtesë nga Angel Lopez, Jeff “Gitty” Gitelman, HitBoy, Tay Keith, INK dhe më shumë.

Po ashtu, është përshkruar si LP-ja “më e ndershme dhe personale” e muzikantit deri më tani.

Sipas njoftimit, filmi, i drejtuar nga Dave Meyers, do të shërbejë si një “riimagjinim muzikor dhe vizual i jetës së saj të dashurisë të shqyrtuar publikisht”.

Filmi u shkrua gjithashtu nga bashkëshorti i Lopez, Ben Affleck, si dhe Matt Walton.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore