Jennifer Lopez dhe Rauw Alejandro së shpejti me projekt të ri muzikor

SHFLETO
Labinot Nimani
04.07.2021 15:58
Loading Icons...

Këngëtarja e famshme latine amerikane, Jennifer Lopez, ka bërë të ditur se së shpejti do ta publikoj video projektin e saj më të ri muzikor dhe kësaj radhe në bashkëpunim me artistin porto rikas, Rauw Alejandro.

Përmes një videoje të publikuar në rrjete sociale, Lopez, ka treguar se kënga do të trajtojë temën e ndryshimit dhe të mos paturit frikë për të hedhur hapa përpara.

“Pra, thjeshtë hidhni hapin, përparoni dhe bëni atë që duhet të bëni. Nëse diçka nuk po ndihet si duhet, sido që të jetë në jetën tuaj, si ta bëni thjesht veproni. Dhe mos harroni të kërceni”, thotë ajo.

Gjatë videos ajo bëri të ditur edhe datën e publikimit të projektit të ri si dhe titullin e këngës.

“Jam duke punuar për këngën dhe videon time të re me Rauw Alejandro, ‘Cambia El Paso’. Projekti do të publikohet me datë 5 qershor. Shpresoj ta pëlqeni aq shumë sa ne”, tha ajo.

Kënga e re vjen vetëm një muaj pasi Lopez dhe Alejandro u panë duke xhiruar video klipin në Miami Beach, për çka një burim i revistës “People”, ishte shprehur se këngëtarja dukej “plot energji”.

“Jennifer dukej rrezatuese dhe plot energji, edhe pse xhirimi zgjati nëntë orë të plota”, tha burimi i revistës.

Ndërkaq, në anën tjetër, Alejandro, i cili kohë më parë ka lansuar edhe albumin e tij “Vice Versa”, pati bërë bujë me një deklaratë të tij për muzikën, teksa është shprehur:

“Muzika është pornografi për veshët tuaj, ndërsa muzika ime është kënaqësi. Nëse e dëgjoni muzikën time, do të ndjeni kënaqësi në shpirtin dhe trupin tuaj. Sepse gjithçka që unë bëj është nga jeta ime personale”.

Ndryshe, Jennifer Lopez, ishte epiqendër e mediave rozë kohëve të fundit që kur ajo u nda nga ish i fejuari i saj Alex Rodriguez.

Por, më shumë se ndarja, bujë bëri ribashkimi i saj me ish të dashurin e dikurshëm, Ben Affleck, me të cilin është duke përjetuar një romancë dashurie tash e disa javë.