Lajme

“Jemi takuar 6 herë dhe më ka telefonuar 6 herë të tjera” – dëshmia e Bislimit se sa shumë punon Vitia


Arben Vitia dhe Besnik Bislimi

Nga e diela e deri të enjten zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar gjashtë herë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe gjithashtu kanë biseduar gjashtë herë në telefon.

Këto takime dhe telefonata, bashkë me kohën kur kanë ndodhur, janë bërë publike nga Bislimi si dëshmi që tregojnë se sa shumë punon ministri Vitia.

Në një status të gjatë në Facebook, të cilin e ka titulluar “pak fjalë për Benin”, Bislimi thotë – njëjtë si ministrja e Jashtme Donika Gërvalla – se “ia heq kapelën” Vitisë.

Në të gjitha takimet, Bislimi shkruan se kanë “diskutuar”, kryesisht për pacientët me COVID-19, kapacitetet, vaksinat dhe tema të ngjashme.

Duke iu vënë në mbrojtje “Benit”, Bislimi ka shkruar gjithashtu se Vitia as që po merret me fushatë, pasi krejt fokusin e ka te ministria.

“Askush nga ata që po e sulmojnë me pafytyrësi se gjoja Beni ka braktisur shëndetësinë dhe po merret me komunën, nuk mund të dëshmojnë as edhe një takim të vetëm, apo çfarëdo aktiviteti të tij elektoral që do i kishte marrë qoftë 5 minuta të vetme të kohës së tij si ministër”.

Ndryshe nga fushata në Prishtinë që Bislimi thotë se Vitia s’po ia kushton as pesë minuta, si ministër “ai punon nga 16 orë në ditë”, prandaj “nuk shëtitet nëpër studio televizive”.

Madje, Bislimi ka shtuar se ata që e sulmojnë Vitinë “po i gëzohen rritjes së numrave të të infektuarve”.

Zëvendëskryeministri, pasi e ka menduar mirë, i ka rezultuar se nga qeverinë Kurti 1 dhe Kurti 2, “Beni mbetet ministri më i mirë që ka pasur Kosova që nga viti 2008, edhe atë jo vetëm në fushën e shëndetësisë”.

Bislimi është i sigurt se Vitia do të sulmohet çfarëdo që të bëjë, duke dështuar ta kuptojë që zyrtarët shtetërorë nuk gjykohen për çfarë bëjnë, por për rezultatet e asaj që bëjnë.

Dhe, për momentin, rezultatet nga Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik tregojnë se numri i infektimeve me COVID-19 është më i madhi ndonjëherë, derisa vdekjet nga virusi, vetëm në 14 ditët e fundit, kanë kapur shifrën prej 133 personash.

Kosova është vendi me popullsinë më të pavaksinuar në rajon po ashtu, derisa shumicën e vaksinave të siguruara i ka nga donacionet.

Procesi i vaksinimit ka shkuar me shumë parregullsi; grumbullime, pritje dhe probleme të tjera.

Situata me COVID-19 është aq keq në Kosovë saqë Qeverisë i është dashur të fusë në funksion masa të reja, të cilat do ta reduktojnë aktivitetin e gastronomisë dhe rrjedhimisht ekonominë në përgjithësi.

(Për shkak të një lëshimi teknik në llogaritjen e numrave të të vdekurve dhe të infektuarve ky tekst është përditësuar)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore