Shqipëria

Jemi ne që duhet mësuar nga Lea Ypi


Lea Ypi, autorja e veprës "Të lirë: të rritesh në fund të historisë"

Secila shkronjë e librit “Të lirë: Të rritesh në fund të Historisë” të Lea Ypit, thënë në gjuhën e Kantit, është gjë-në-vetvete.

Por mbase ata që “deshën të duken” në promovimin e librit të saj, ishin phenomena-t politike, e jo noumena e Lirisë, që është e lajtmotivi i librit filozofikisht të dëlirë të Lea Ypit.

Jo se politikanët s’duhet të marrin pjesë në ngjarje letrare e filozofike, por jo të marrin spotlight elektoral, kur ngjarja ka për qëllim lexuesin.

Si lexues, libri i thërret të gjithë. Deri në këtë masë, ata që kritikojnë krerët politikë se nuk e lanë “Të lirë” Lean të promovojë librin e saj, kanë të drejtë.

Por çka s’kanë të drejtë, është ta transliterojnë absurdisht.

“Të lirë” e Lea Ypit, mbase tregoi edhe se si “Të detyruar”-it e llojllojshëm mund të ndërtojnë interpretime boshe.

Kundërshtarët implicitë të Lirisë, nuk e lexojnë Lea Ypin, sepse duke e lexuar atë humbasin në marramendësinë e lirisë, e cila po qe se s’bëhet për “Lirinë për hir të Lirisë”, s’ka asnjë pikë kuptimi të trajtohet.

Filozofia është azil ku asnjë tirani nuk depërton. Filozofia, që prej Pitagorës është vetëm soditje e lirisë. Lea Ypi, shkroi një libër, duke soditur, nga ai azil, pikërisht aty, dhe vetëm aty, ku s’mund t’i depërtonte asnjë tirani.

Interpretimet tiranike që rrokën mbi promovimin e librit të Leas, mbi ambientin me të cilën ajo deshi të përmbyllë lirshëm projeksionit përjetues të Lirisë së saj, të lavdit që mori, lavd ky që i përligjet në secilën shkronjë, janë ngulfatëse.

“Të rritesh në fund të Historisë”, e Lea Ypit, me këso far vulgarizimesh aktuale, tregon edhe atë që kjo shoqëri ende s’është rritur për të parë përtej betejave të vogla politike, në pikturën e përgjithshme të filozofes.

Nën këso kushtesh tiranie mendore, s’mund të lexohet Lea Ypi. Mendimi është gjë e vështirë. Mendimi s’është gjë nëse s’është i lirë, por vetëm diktat.

Këto diktate, Lea i jeton që në fëmijëri. Por këto diktate, Lean e bëjnë të diktojë se ku rron Liria. Dhe nëse jeton, çfare është?

“Politikanë të korruptuar, larg librit tim”, thotë njëri pas promovimit të Lea Ypit, duke operuar me kategori aq thjeshtues e banalë, thuase është i kalibrit të Leas.

Një filozof që është filozof, e di që kompleksiteti i jetës në raport më politikën, e cila është edhe realizimi i Lirisë, nuk aksiomatizohet binarisht. Njësh dhe zero. Bardh dhe zi. Terr dhe dritë.

Pse nuk dikotomizon Lea Ypi në “Të Lirë: të rritesh në fund të Historisë”? Dikotomia e mban peng mendjen. Lea është më e urtë se aq.

Lea, të interpretohet aq naivisht, se kinse një qeveri po e bëka pjesë të lavdisë së saj, është asgjë më shumë se ideim i kotë dhe i papërdorshëm joshkrimtarësh.

Të mendohet se Lea Ypi mund të përvetësohet ngushtësisht, është më së paku serioze për dikë që pretendon të di të mendojë e të shkruajë.

Lea përfaqëson konceptin kantian të Lirisë, “jemi të lirë, për aq sa jemi agjentë moralë”.

Vetë qëndresa e saj filozofike është përtej ideologjisë, ku liria nënkupton “mosinstrumentalizimin dhe mosbrutalizimin e njëri-tjetrit”.

Tash, një njeri i formuar dhe i informuar nga Kanti, po u përvetësoka ashtu?

Ne kemi shumë për të mësuar nga Lea, por jo t’i mësojmë asaj problemet tona vulgare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore