Lajme

Jemen/ Gazetarët thirrje për lirimin e katër të burgosurve në burgjet e rebelëve


Një grup gazetarësh nga Jemeni, të cilët i mbijetuan viteve të tëra të torturave në burgjet e rebelëve Houthi, po i drejtohen komunitetit ndërkombëtar të bëjë presione ndaj tyre për të liruar katër kolegë  që përballen me dënimin me vdekje.

Abdel-Khaleq Amran, Akram al-Walidi, Hareth Hamid dhe Tawfiq al-Mansouri u arrestuan së bashku me gjashtë gazetarë të tjerë gjatë trazirave në kryeqytetin, Sana’a, në verën e vitit 2015. Arrestimi përkon me kohën pak pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në luftën e Jemenit.

Grupi prej 10 personash u akuzua për spiunim, përfshirë “bashkëpunim me armikun” dhe “përhapje e lajmeve dhe thashethemeve të rreme” për të dobësuar rebelët e mbështetur nga Irani.

Gazetarët treguan se i ishin nënshtruar trajtimeve çnjerëzore si tortura, uria dhe izolimi për vite me radhë. Kjo, para se çështja e tyre të dilte para një gjykatësi të emëruar nga Houthi, në prill 2020.

Të 10-të ishin dënuar, por gjashtë prej tyre u lanë të lirë nën kushte të rrepta vëzhgimi dhe u ndaluan të praktikonin gazetarinë, ndërsa katër të tjerët u dënuan me vdekje.

Një përpjekje për apelim u prish pasi anëtarët e familjes dhe avokatët mbrojtës nuk u lejuan të marrin pjesë në gjyq.

Gjashtë gazetarët e liruar dhe familjet e tyre arritën të largohen nga Jemeni dhe po jetojnë në Kajro, Egjipt. Një vit pas dënimit, ata thonë se qeveria e Jemenit nuk po bën sa duhet për të negociuar lirimin e kolegëve të tyre.

“Ne do të duhet të shkruajmë libra për të përshkruar plotësisht atë që kemi kaluar dhe vuajtur në këto ambiente paraburgimi. Vetëm Zoti i di vështirësitë dhe vuajtjet e familjeve tona”, shkruante deklarata e grupit të gazetarëve të liruar.

“Djali im është thjesht një civil, ai nuk është ushtar, ai nuk luftoi kundër askujt, ai nuk ishte i përfshirë në politikë. Ai nuk e meritonte diçka të tillë për shtatë vjet,” tha nëna e njërit prej gazetarëve që janë në burg, e cila kërkoi të mos përmendej me emër.

“Ne kemi shkuar kudo, kemi biseduar me të gjithë, por askush nuk na ka ndihmuar. Jam duke qarë çdo ditë dhe nuk më zë gjumi”.

Abdullah al-Mansouri, vëllai i Tawiq al-Mansourit, tha se i vëllai i tij ishte sëmurur rëndë dhe kishte treguar probleme të veshkave dhe diabetit. Gjithashtu, sipas tij, rrëmbyesit ia kishin mohuar trajtimin mjekësor. Familja ka qenë në gjendje ta vizitojë atë vetëm dy herë në tre vitet e fundit, raporton agjencia mediatike The Guardian.

Houthët akuzohen nga grupet e të drejtave njerëzore për burgosje dhe tortura ndaj disidentëve dhe atyre që dyshohet se kanë spiunuar për koalicionin.

Pengjet nganjëherë mbahen me qëllim në vende që mund të jenë shënjestra e sulmeve ajrore të koalicionit: dy gazetarë të burgosur, Abdullah Qabel dhe Yousif Al Aizari, vdiqën kur një bazë ushtarake në Dhamar u bombardua në 2015.

“Këta katër kolegë po përdoren nga Houthis si pengje për të shantazhuar komunitetin ndërkombëtar dhe qeverinë e Jemenit”, tha Buthaina Faroq, një aktiviste jemenase e cila gjithashtu u detyrua të largohej nga vendi dhe po jeton në Malajzi.

“Çdo ditë është e rëndësishme për ata të ngecurit në burg. Houthët janë të paparashikueshëm, ata mund të vendosin t’i mbajnë ose t’i ekzekutojnë në çdo moment”, shtoi ajo.

Sipas organizatës joqeveritare, Reporterët pa Kufij, rreth 20 gazetarë jemenas po mbahen të burgosur nga Houthi ose al-Qaeda. Jemeni renditet në vendin e 167-të nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit për vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore