Shqipëria

Jehona botërore për qeverinë me shumicë femërore


Pasqyrimi i mediave botërore për zgjedhjen e kabinetit të ri me shumicë femërore në Shqipëri

Kabineti i ri qeveritar në Shqipëri, është kabineti me proporcion më të lartë të mazhorancës së grave karshi burrave…në botë!

Mbi këtë zgjedhje-zgjidhje, kryeministri Edi Rama, deklaroi se nuk lindi si nevojë e një raporti të drejtë gjinor, por si pasojë e analizave të shumta të performancës dhe punës së kryer në dy mandatet e tij të para nga gratë e qeverive të tij.

Ky detaj, përtej diskutimeve që shkaktoi në Shqipëri, rroku edhe vëmendjen e mediave më të mëdha botërore, pasi fitoi votëbesimin në Parlament.

Çfarë shkruhet?

Gjigandi i përditshëm amerikan, The Washington Post, zgjedhjen e kabinetit “Rama 3” e pasqyron në seksionin e ngjarjeve botërore të ditës.

“Pas fitores margjinale nga socialistët, është betuar kabineti ku 12 nga 17 drejtuesit e dikastereve, do të jenë gra”. Kështu shkruhet në Washington Post.

Agjencia e lajmeve Associated Press, ka vendosur edhe një kryetitull për përbërjen qeveritare.

“Shqipëria merr lidershipin global për gratë në Qeveri”, shkruan gjigandi botëror. Aty po ashtu përshkruhet e gjithë përbërja qeveritare e grumbulluar nga kryeministri Rama. Raportin e favorshëm më parë e ka pasur Nicaragua, me 10 nga 17 ministra gra. Ndërsa Shqipëria, e tejkalon raportin me dy më shumë.

Media e madhe amerikane ABC, shkruan se me një kabinet të ri me shumicë femërore, Shqipëria po provon të rikthejë fokusin tek rimëkëmbja ekonomike, turizmi dhe bujqësia, infrastruktura dhe energjia.

Pa përmendur nuk mbetet as mandati i tretë i socialistëve, i fituar për të parën herë radhazi nga një forcë politike në demokracinë e re shqiptare.

Për agjencinë e lajmeve Reuters, ngjarja është përshkruar si një votim pas 20 orësh debate parlamentare. Ndërsa është përmendur edhe lufta që Shqipëria duhet të kryejë ndaj diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje. Luftë, të cilën e përmendi edhe kryeministri në fjalimin e tij mbi programin qeverisës.

Gjigandi britanik “The Indipendent”, shkruan se Shqipëria merr udhëheqjen botërore për gra në Parlament. Ndërsa aty përshkruhen edhe zgjedhjet e Ramës për përfshirjen e madhe të grave, që prej mandatit të tij të parë.

Gjermanët e Deutsche Welle, shkruajnë se pozicionet më me rëndësi në Shqipëri, do të mbahen nga gratë. Kjo, si rrjedhojë e një shumice ministrore femërore. Të njëjtën gjë, e përshkruan edhe agjencia evropiane e lajmeve, Euronews.

Kabineti Rama është komentuar në Shqipëri, ku edhe pakënaqësi janë shfaqur ndaj zgjedhjeve, të cilat janë cilësuar nga opozita si “fasadë”.

Ndërsa fakti, mbetet aty.

Shqipëria ka kabinetin me shumicë femërore më të madhe në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore