Lajme

“Javelin”-ët në Kosovë – mesazh për Putinin, thotë analisti amerikan


Ilustrim

Alon Ben-Meir, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, konsideroi se aprovimi i kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave portative “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është një mesazh për presidentin rus Vladimir Putin se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar në përmirësimin e gjendjes së sigurisë së partnerëve evropianë.

Në një artikull autorial të botuar në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve “Presenzza” të martën, analisti amerikan vlerësoi se shitja e sistemit të sofistikuar anti-tank “Javelin” në drejtim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës nuk do të jetë dërgesa e fundit e pajisjeve ushtarake: shumë pajisje të tjera do të dërgohen në Kosovë së shpejti, shtoi Ben-Meir.

“Shitja e raketave ‘Javelin’ nga SHBA-të drejt rritjes së fuqisë ushtarake të Kosovës nuk do të jetë dërgesa e fundit e pajisjeve ushtarake; furnizimet e tjera me pajisje ushtarake do të pasojnë sepse Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) synojnë të kalojnë në një forcë ushtarake profesionale deri në vitin 2028 për të përmbushur standardet e NATO-s”, shkroi Ben-Meir të martën.

Vlera e “Javelin”-ëve amerikanë që Kosova dëshiron t’i blejë, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa dhe 24 njësi për lëshimin e tyre – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të Kosovës, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Vendimi i SHBA-së për të shitur 240 sisteme raketore portative ‘Javelin’ që mund të shkatërrojnë tanke dhe automjete të tjera të blinduara është marrë për t’i dërguar një mesazh presidentit rus se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar dhe përkushtuar për të përmirësuar sigurinë e partnerëve evropianë – kritike për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”.

Megjithatë, paralajmërimet e nxituara të kryeministrit kosovar Albin Kurti se Serbia dëshiron konflikt të armatosur në Kosovë, në pikëpamjen e analistit të njohur amerikan, veçse shkaktojnë tension dhe stres të panevojshëm. Ai shprehu dyshimet se kryeministri Kurti flet qëllimisht për luftë për të forcuar pozitën politike para zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

“Edhe pse kryeministri Kurti është i detyruar të garantojë sigurinë kombëtare të Kosovës, ai duhet ta shohë në kontekstin e përkushtimit të përgjithshëm të NATO-s për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor… SHBA-ja do të veprojë menjëherë për të parandaluar ndonjë llogaritje të gabuar nga një armik i mundshëm, veçanërisht nga Rusia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore