Lajme

Jashari: Të turpëruar duhet të ndihen ata që morën peng votën e qytetarëve


Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar përsëri pas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të së dielës të 17 tetorit.

Ai përsëri ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për vjedhje votash.

“Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur e metodë antiligjore pa përdorur për të marrë peng votën e qytetarëve, ata që ju bënë presion votuesve, ata që iu shkuan në shtëpi një ditë para votimit, ata që i ndalën votuesit para qendrave të votimit duke i shantazhuar e mashtruar”, ka shkruar Jashari në Facebook.

“Ata që vodhën vullnetin e lirë të qytetarëve e ata që festuan si festuan për një ‘fitore’ që as vet nuk e kishin pritur. Të gjitha këto i dinë shumë mirë qytetarët e vendit tonë, këto sot fliten gjithandej dhe tashmë çdo gjë dihet për manipulimin e këtyre zgjedhjeve”.

Jashari ka njoftuar deri tani kanë bërë dhjetë ankesa në lidhje me manipulimin e procesit zgjedhor.

“Të dashur qytetarë, duke besuar fuqishëm në drejtësinë tonë kemi bërë mbi 10 ankesa në lidhje me manipulimin e procesit zgjedhor dhe presim që të zbardhet e vërteta edhe nëse duhet të hapet e të verifikohet çdo kuti e votimit”.

Ndërsa, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, duke rikujtuar punën që ka bërë brenda mandatit katër vjeçar si kryetari i komunës së Skenderajt.

Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

 

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që me vullnetin më të madh, pavarësisht shumë sfidave, me angazhim maksimal bashkë me qytetarët instaluam një qeverisje të mirë dhe transparente, një standard të ri të qeverisje për qytetarët tonë”, ka shkruar Jashari.

Ai ka shkruar tutje se ”sot duhet të ndihemi krenar secili nga ne që punuam me tërë mundin në këto 4 vite për qytetarët, për fushatën shembull që zhvilluam, për programin zhvillimor që ofruam, për ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve, për respektimin e ligjeve dhe institucioneve tona të ndërtuara me shumë mund e sakrificë”.

Duke u shprehur se asgjë nuk mund të ndalë angazhimin e tyre të përbashkët.

“As këto zgjedhje, as manipulimet e shumta dhe as asgjë tjetër nuk mund të ndalë angazhimin tonë të përbashkët për qytetarët dhe vendin tonë të shenjtë”.

“Fitues të vërtetë të këtyre zgjedhjeve jemi vetëm Ne qytetarë të dashur, numrat e vjedhur e manipuluar nuk mund t’i mbulojnë veprat dhe sjelljet e tyre antiligjore dhe anti morale. Shihemi së shpejti bashkë për Idealin tonë”, përfundon reagimi”.

Po ashtu, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi gjatë të martës ka vizituar qytetin e Skenderaj, ai ka takuar fituesin e zgjedhjeve lokale për të parin e qytetit, Fadil Nura dhe drejtuesit e degës së PDK-së, ka thënë se Drenica mbetet zemra e Kosovës por edhe i subjektit të tij politik.

PDK në zgjedhjet lokale në Skenderaj ka marrë 57,99 për qind të votave, kurse Bekim Jashari nga Lista e Pavarur është radhitur i dyti me 40,64 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore