Lajme

Jasharaj sërish kundër testimit të mësimdhënësve, kërkon që të rritet numri i inspektorëve të arsimit


Kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në vend të testimit të mësimdhënësve nga institucionet duhet të shtohet numri i inspektorëve të arsimit.

Jasharaj, përmes një komunikate dërguar mediave ka kundërshtuar sërish fuqishëm testimin e mësimdhënësve, ai ka thënë se po e bën këtë duke u bazuar në shumë argumente.

“SBASHK-u ka kundërshtuar arsyeshëm dhe fuqishëm e me plot argumente tendencat e individëve e institucioneve për organizimin e testitit me shkrim për njohuritë e punëtorëve të arsimit dhe ka kërkuar vazhdimisht që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit”.

“Por jo me çfarëdo kuadrosh, po me individë me tituj të lartë arsimor dhe me një përvojë shumë vjeçare në arsim gjatë secilës ai është dëshmuar me arritje e suksese të larta në arsimimin dhe edukimin e brezave”, ka shkruar Jasharaj në një shkrim dërguar mediave.

Ai po ashtu ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), duke thënë se duhet ta dinë se detyrat e inspektorëve të arsimit dallojnë nga detyrat e inspektorëve në sektorë të tjerë.

Ilustrim.

“Inspektori i arsimit ka detyrë që të monitorojë punën e punëtorit arsimor dhe të shoh anët pozitive e t’i lavdërojë ato, por edhe të shoh nga afër të metat në punën arsimore të mësimdhënësit dhe pastaj t’i ofrojë atij këshilla konkrete nga përvoja e tij se si të tejkalohen ato të meta me qëllim që mësimdhënësi të jetë edhe më i suksesshëm në punën e përditshme arsimore e edukative me nxënësit”, ka shkruar Jasharaj.

Ai ka theksuar se për ta kryer këtë mision inspektori arsimor, duhet të jetë me ngritje më të lartë profesionale se mësimdhënësi i monitoruar dhe duhet të ketë përvojë të gjatë në arsim.

“Ky inspektor nuk guxon të jetë afër ndonjë subjekti politik, por duhet të jetë i dëshmuar se për arsimimin e brezave ka dhënë gjithë kontributin e mundur. Të tillët na duhen në shkolla e në klasë dhe me të tillët do të përmirësohej në vazhdimësi cilësia në arsim sepse mësimdhënësit do të ndihmoheshin që të jenë edhe më të mirë nesër se sa janë sot”, ka shkruar Jasharaj.

Sipas tij në të kundërtën, “inspektorë të rekrutuar me ngritje më të ulët arsimore dhe me përvojë e arritje më të vogla se mësimdhënësi që do ta monitorojnë, irriton dhe krijon situata debatesh e përplasjes mes mësimdhënësit dhe inspektorit apo ‘ekspertit të arsimit’, siç mundohet t’i quaj dikush”.

Ideja për një testim të mësimdhënësve u konsiderua e gabuar që kur për herë të parë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e përmendi këtë metodë vlerësimi për mësimdhënësit.

Në vend të kësaj u propozua që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po edhe njohës të fushës së arsimit, thanë se testimi nuk do të prodhonte asnjë rezultat në ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore