Lajme

Jasharaj paralajmëron protesta: Qeveria s’po merret me shqetësimet tona


Rrahman Jasharaj

Në rast se Qeveria e Kosovës nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kryetari i kësaj sindikate ka paralajmëruar organizimin e një proteste më 1 maj me numër të kufizuar të pjesëmarrësve.

“Kemi ardhur në këtë moment kur në mbledhjen e fundit me kryetarët e niveleve komunale dhe universiteteve u shtuan zërat që në mungesë të dialogut që është faji vetëm i qeverisë dhe i askujt tjetër duhet me hi në diçka tjetër dhe kur nuk ka dialog dihet ka veprime sindikale”.

Jasharaj ndërsa ka renditur disa pakënaqësi të cilat mund të dërgojnë këtë sindikatë në protestë ka përmendur edhe Ligjin për Pagat.

“Kemi një pjesë goxha të mirë të punëtorëve të arsimit që ishin të pakënaqur me vetë ligjin dhe ato që u solli ligji e pakënaqësia u shtua shumë me vendimin e pakonsultuar të qeverisë Kurti, ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 110 euro, lëvizje kjo që i shtoi pakënaqësitë te anëtarësia ngase kemi lëvizje ironike për vetëm 28 euro ne kishim kërkuar me shkresa së paku 130 euro”, është shprehur ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Ai ka shprehur si pakënaqësi edhe mungesën e sigurimit shëndetësor dhe kushtet jo të mira të punës.

“Kushtet e punës nëpër shkolla nuk janë të shekullit 21 sepse qeveria po i sfidon punëtorët e arsimit të punojnë me shkumësa e shpuza”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore