Lajme

Jasharaj njofton Haradinajn për gjendjen “tmerrësisht të keqe” pas situatës me tekstet shkollore


Pas takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, tha se ka njoftuar ish-kryeministrin e Kosovës për gjendjen të cilën e cilësojë si tmerrësisht të keqe pas situatës së krijuar me tekstet shkollore.

Jasharaj në një prononcim të shkurtër për media tha se mësimdhënësit janë thellësisht të indinjuar pas dështimit të Ministrisë së Arsimit për t’i siguruar tekstet shkollore filloristëve.

“Prindërit janë shumë të nervozuar dhe të prekur. Mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa tekste shkollore dhe nuk dihet kur do të arrijmë të kompletohemi me tekste shkollore”.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thekson Jasharaj në vend se të pajisë nxënësit nëpër shkolla me llaptop e projektor, po i lë edhe pa libra.

Ndërsa komentojë pakënaqësitë që kanë mësimdhënësit kosovarë në raport me koeficientit të Ligjit për Paga, Jasharaj duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga SBASHK-u në terren theksoi se diku rreth 300 mësimdhënës në gjithë Kosovën kanë kërkuar pushim pa pagesë.

“Kam frikën se këtë pushim ata mund të shfrytëzojnë për të dal jashtë vendit dhe nëse rehatohen atje nuk do të kthehen dhe pastaj të tjerët do ta ndjekin të njëjtën rrugë dhe ç’na duhen nxënësit në shkollë pa mësuesin shqiptarë në ato shkolla”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore