Kosova

Jasharaj: Kurti ka urdhëruar Muratin që t’i shuajë sindikatat


Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka pretenduar se ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka marrë detyrë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për t’i shuar sindikatat.

Jasharaj, përmes një komunikate dërguar mediave, konsideron se Murati i provoi të gjitha mënyrat me qëllim që të krijoj tronditje brenda sindikatave.

“Po ta kishin arritur këtë, atëherë Qeveria do të zhvillonte përditë takime me ta, do të fotografoheshin dhe ata udhëheqësit sindikalë të shitur do të ngritnin në qiell Qeverinë duke gënjyer për të. Qeveria Kurti dështoi në këtë përpjekje dhe prandaj SBASHK-u dhe disa nga sindikatat tjera u janë bërë halë në sy  dhe nuk pushuan me luftën kundër tyre”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, Murati kishte provuar që t’i gjunjëzojë sindikatat edhe në një formë tjetër përmes platformës e-Kosova.

“Hekurani syrin e kishte të SBASHK-u për ta shuar, por i shkoi plani huq sepse në këtë platformë u regjistruan me mijëra anëtarë e po vazhdojnë të regjistrohen sepse ata kanë besim të plotë në sindikatën e tyre. Hekurani duke e parë këtë realitet u inatos dhe bëri tash një veprim tjetër qindra anëtarëve të regjistruar nuk ua ndal kuotën sindikale. Kjo është goditje e radhës e tij, por pa rezultate”.

Ai i ka propozuar Muratit që të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social e të mos e ngulfoj dialogun e brendshëm me sindikatat.

“Përmes tij edhe të krijohen kushtet që të nënshkruhet Marrëveshja Kolektive, e cila vetëm në Kosovë, krahasuar me vendet e Ballkanit e Evropës, mungon”.

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati duhet të pajtohen se këto janë sindikatat në Kosovë dhe këta janë udhëheqësit e tyre që janë zgjedhur me votën e anëtarësisë  dhe se vetëm kjo votë mund t’i shkarkojë ata dhe të nis me dialogun e sinqertë me ta duke shqyrtuar kërkesat e anëtarësisë e duke i zgjedhur e realizuar ato”.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht kanë pasur probleme me sindikatat, madje në vitin 2022 punonjësit e arsimit kishin mbajtur grevën më të madhe në arsim që nga paslufta.

SBASHK-u ka mbajtur protesta edhe në kaluarën rreth kërkesave të njëjta.

Ata ankohen se s’mund të durojnë shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social, duke përfshirë mosrespektimin e profesionalizimit nga autoritetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore